Infuzioni i Sportit

11.01.2012

U emërua ministër i Sportit në muajin shkurt. Punoi shumë në Ligjin për Sport dhe Sponsorime. E ngriti buxhetin për Sport dhe e bindi Majlinda Kelmendin të garojë për Kosovën. Këto ishin vetëm disa nga të arriturat e ministrit të Sportit, Memli Krasniqi. Nuk e ka ndërmend të ndalet dhe premton angazhim dhe përkrahje për gjithë sportistët kosovarë

Bahri REXHA

Prishtinë, dhjetor

Ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Por, sportin e ka prioritet. Memli Krasniqi flet për punën e tij të deritashme, duke e quajtur të suksesshme.

Punoi shumë në Ligjin për Sport, Sponsorime dhe Donacione, që janë shumë të rëndësishme për sportin në vendin tonë. Ndihmoi shumë palestra të rinovohen e ndërtohen dhe fusha sintetike. E bindi Majlinda Kelmendin të garojë për Kosovën.

Sport: Jeni emëruar ministër i Sportit në muajin shkurt. Cilat kanë qenë synimet tuaja në fillim dhe sa i keni realizuar deri më tani?
M. Krasniqi:
Besoj tashmë e dini që sporti është prioritet imi për këtë mandat dhe ndoshta vlerësimet reale dhe më të përgjithshme do të mund t’i nxjerrim në fund të punës sime. Gjithsesi, synimi im për ditët e para ka qenë që të plotësohet infrastruktura e munguar, apo joadekuate ligjore. Tashmë ne kemi në Kuvend Projektligjin për Sport dhe ai pritet që brenda pak ditësh të hyjë në fuqi. Shumë shpejt i gatshëm për miratim në qeveri dhe Kuvend do të jetë edhe Ligji për Sponsorime dhe Donacione. Çështje tjetër ka qenë koordinimi i punëve me të gjitha federatat dhe organizatat sportive në vend, në mënyrë që bashkërisht të punojmë në përmirësimin e gjendjes, si në infrastrukturë, ashtu edhe në organizim të garave, si dhe në procesin e ndërkombëtarizimit. Mendoj se edhe në këtë drejtim kemi shënuar të arritura dhe kemi qenë një lehtësues i mirë për federatat dhe klubet, në mënyrë që gjërat të ecin pozitivisht.

Sport: Sporti i Kosovës është ballafaquar dhe ballafaqohet me probleme të shumta. Sa keni arritur t’i zbutni këto probleme?
M. Krasniqi:
Mendoj se gjendja nuk është ende e mirë. Por, hapat e parë, e që ndoshta është vonë për shkak se është dashur të punohet shumë më herët në këtë drejtim, janë bërë këtë vit në funksion të përmirësimit të kësaj gjendje. Përveç atyre, që i përmenda më herët, dua të them se këtë vit ne kemi investuar në ndërtimin dhe restaurimin e disa palestrave sportive dhe çka është më e rëndësishmja për herë të parë kemi arritur të sigurojmë një fond prej rreth 3,5 milionë eurove për ndërtimin e gjashtë stadiumeve ndihmëse në futboll me standardet më të larta ndërkombëtare. Në vitin e parë të mandatit besoj se nuk është edhe pak kjo. E di që ka ende shumë punë, por ne jemi shumë të përkushtuar që ta kemi një ambient shumë më të mirë për zhvillimin e garave. Ministria nuk mund që këtë ta bëjë vetë dhe ne na duhet bashkëpunimi i partnerëve tjerë, federatave, klubeve dhe komunave.

Buxheti për Sport

Sport: Buxheti për Sport është rritur këtë vit. Sa do të jetë buxheti për Sport në vitin 2012 dhe sa është e mirë kjo për sportin e Kosovës?

M. Krasniqi: Unë e kam thënë që në fillim se do të ketë rritje buxhetore dhe jam i lumtur që kjo po ndodh. Vitin e ardhshëm mbi 7,5 milionë euro janë të dedikuara për projekte kapitale në infrastrukturën sportive, e që janë mbi 70% të buxhetit të ministrisë në linjën e investimeve kapitale. Po ashtu, edhe linja e subvencionimeve është rritur në 1,2 milion dhe kur merret në total buxheti për sport e tejkalon shifrën prej 9 milionë eurosh ose 50 % të buxhetit të përgjithshëm të Ministrisë. Besoj se këto fakte janë të mirëseardhura për të gjithë sportistët dhe sportdashësit, sepse do të ndikojnë drejtpërdrejt në përmirësimin dhe avancimin e gjendjes aktuale.

Sport: Projektligji për Sportin ka shkuar në Kuvend dhe miratimi është çështje ditësh, por kur do të jetë gati projektligji për sponsorime?
M. Krasniqi:
Siç e thashë, edhe ky ligj pritet që shumë shpejt të jetë i gatshëm për miratim në Qeveri dhe Kuvend. Besoj në muajt e parë të vitit 2012 do të jetë në atë fazë, pasi siç e dini paraprakisht duhet të kalojë në disa procedura deri në miratimin e plotë.

Sport: Keni bërë punë të madhe në rastin e Majlinda Kelmendit. Si arritët ta bindni që të garojë për Kosovën?
M. Krasniqi:
Nuk ka qenë krejt e thjeshtë. Ishte e lehtë, sepse gatishmërinë për ta ndihmuar një talente kaq të suksesshme e kemi secili dhe, po ashtu, Majlinda kishte vullnet që ta vazhdonte karrierën e saj këtu. Ka qenë një përkushtim imi i madh që mbështetja të mos jetë vetëm për disa ditë, por që ajo të jetë e vazhdueshme dhe këtë e kemi arritur. E vështirë ka qenë ndoshta, sepse gjendja në sportin e Kosovës, problemet me ndërkombëtarizimin që nënkupton mospasje mundësie për prezantim dhe sukses në nivel të lartë ndërkombëtar detyrimisht, që ndoshta kanë sjellë dilema, por unë e çmoj shumë Majlindën për durimin dhe vullnetin e saj që ta përfaqësojë vetëm Kosovën. Ka qenë një nga momentet më të mira në jetën time, fakti që Majlindës i janë siguruar kushtet e nevojshme për zhvillimin e karrierës në vendin e saj dhe për vendin e saj.

Shpërblimet për medalistët

Sport: Majlinda ka pasur oferta nga Azerbajxhani, derisa në Londër mund të garojë edhe për Shqipërinë. Cila është strategjia që ajo ta përfaqësojë Kosovën?
M. Krasniqi:
Gjatë tërë vitit kemi lobuar dhe ende po punojmë shumë që t’i kemi sportistët tanë në Lojërat Olimpike “Londra 2012”. Ky nuk është një proces i lehtë dhe kam besim se do të kemi sukses. Natyrisht që në momentet vendimtare ne do t’i marrim bashkërisht vendimet e duhura për Majlindën dhe Kosovën.

Sport: Nëse sportistët kosovarë fitojnë medalje, sa do të jenë shpërblimet?
M. Krasniqi:
Janë çështje që i rregullon Ligji për Sport dhe këto do të specifikohen me akte nënligjore. Pa dyshim që do të parashihen shpërblime të merituara për secilin sportist të suksesshëm.

Sport: Kosova duhet të pranohet në KON deri më 1 maj 2012, që të marrë pjesë në “Londra 2012”. A besoni që mund t’ia arrini qëllimit që sportistët kosovarë të marrin pjesë në Lojërat Olimpike Verore?
M. Krasniqi:
Unë kam besim se ne do t’i kemi sportistët tanë në këtë eveniment shumë të rëndësishëm. Dhe, siç thashë, ne po punojmë shumë në këtë drejtim, që përfshin natyrshëm edhe punën drejt anëtarësimit të Komitetit Olimpik të Kosovës në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar.

Sport: Keni qenë iniciator i themelimit të disa federatave të reja. Sa jeni i kënaqur me punën e tyre?
M. Krasniqi:
Qëllimi im është që ta masivizojmë sportin dhe të krijojmë hapësira për secilin talent. Natyrisht që çdo fillim është i vështirë, por gjithë puna do të shkojë duke u rritur dhe rezultatet do të jenë më të mira.

Sport: Gjithashtu planifikohen të themelohen edhe disa federata tjera. A besoni që do të kenë sukses të pranohen në asociacionet ndërkombëtare?
M. Krasniqi:
Ndërkombëtarizimi nuk është proces i lehtë, pasi, siç e dini, këtu luan rol shumë edhe aspekti politik. Por, kjo gjendje nuk do të vazhdojë gjatë dhe shumë shpejt sportistët tanë dhe shteti ynë do ta kenë vendin meritor në secilin organizim sportiv ndërkombëtar.

Pret lajme të mira për Pentatlonin Modern dhe Lundrimin

Sport: Deri më tani, tri federata janë pranuar me drejta të plota, dhe në fund ajo e Skitarisë. Cila mendoni që do të jetë federata e pestë që do të pranohet me të drejta të plota?
M. Krasniqi:
Është vështirë të jem i saktë në këtë drejtim, pasi nga shumë federata presim të marrin lajme të mira, pasi janë shumë që po punojnë në këtë proces. Në pjesën e parë të vitit të ardhshëm mund të marrim përgjigje për Federatën e Pentatlonit Modern, atë të Lundrimit, por edhe për ndonjë tjetër.

Keni fituar një donacion nga Këshilli Evropian për ndërtimin e gjashtë fushave me bar sintetik në gjashtë rajone të Kosovës. Pse nuk u përfshi Rajoni i Prishtinës në këtë projekt dhe a mund të presim edhe të tjera lajme të mira gjatë vitit 2012 për përmirësimin e infrastrukturës sportive në Kosovë?

M. Krasniqi:
E para besoj se është shumë e rëndësishme që kjo është arritur dhe nuk ka askush kundër që këto gjashtë stadiume do të ndërtohen në Mitrovicë, Pejë, Gjakovë, Drenas, Gjilan dhe Ferizaj. Është një gjithëpërfshirje e rajoneve të Kosovës dhe një kujdes që u bëhet edhe komunave tjera. Pa dyshim që edhe Prishtina ka nevojë për investime në këtë drejtim dhe do të ketë në të ardhmen. Ne planifikojmë që me fondet e Ministrisë të ndërtojmë edhe fusha të tjera nëpër Kosovë. Po ashtu, ne kemi ndihmuar në restaurimin e disa pjesëve në stadiumin e qytetit. Por, dua të them edhe një herë se ky ka qenë një hap shumë i madh që është bërë dhe ato stadiume janë të të gjithëve, pa dallim rajoni apo komune.

E evitoi shuarjen e Prishtinës

Sport: Arritët që ta evitoni edhe shuarjen e KB Sigal Prishtina. A ishte ky një sinjal i ministrisë se asnjë klub nuk mund të shuhet në mënyrë të parregullt?
M. Krasniqi:
Ju e dini që ne nuk kemi të drejtë të përzihemi në çështjet e klubeve dhe federatave. Ne jemi vetëm lehtësues të punës së tyre. Por, këtu është dashur patjetër që të reagojmë, pasi zhvillimet kanë lënë hapësira për interpretime dhe dyshime të mëdha, dhe ne nuk kemi mundur të qëndrojmë indiferentë ndaj proceseve që e dëmtojnë sportin e Kosovës dhe imazhin e tij në botë. Është ky synimi im, por besoj edhe i secilit, përfshirë federatat dhe klubet.

Sport: Keni dhënë edhe ndihma të shumta për palestrat anembanë Kosovës. Si kanë shkuar punimet dhe kur do të përfundojnë rinovimet në këto palestra?
M. Krasniqi:
Në disa palestra punët janë kryer, kurse në disa janë në fazën finale, e në të tjerat pritet që të përfundojnë shumë shpejt. Investimet në këtë drejtim do të vazhdojnë edhe në vitet e ardhshme.

Sport: Për fund, çka do të presin sportistët nga ministri në vitin 2012?
M. Krasniqi:
Një përkrahje të vazhdueshme dhe gjithnjë duke u fuqizuar. E di që gjendja nuk është ideale, por unë kam besim se gjërat po ecin në drejtimin e duhur dhe ne do të jemi një vend që do të nxjerrim shumë talentë, do të kemi gara cilësore dhe prezantim shumë të suksesshëm në arenën ndërkombëtare.

I përcjell derbit

Sport: Sporti i pëlqyer, tifoz i cilës skuadër jeni, cili lojtar ju pëlqen më së shumti dhe sa shikoni sport kur shkoni në shtëpi?
M. Krasniqi:
Realisht, futbollin e kam sport favorit. Nuk jam ndonjë tifoz i zjarrtë i ndonjë ekipi, por me pëlqejnë Barcelona, Manchester United dhe Juventus. Rrallë me bie që ta shikoj ndeshje në shtëpi, pasi deri vonë jam në zyrë, e shpeshherë edhe pas punës kam aktivitete që ndërlidhen me punët e ministrisë. Por, mundohem t’i përcjell derbit e veçantë dhe lojërat e Ligës së Kampionëve.

Prapa