Fjalimi I Ministrit ne hapjen e Javes se Bibliotekes 2013

15.04.2013

I nderuar drejtor i Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare, z. Sali Bashota,
I nderuar rektor i Universitetit të Prishtinës ‘Hasan Prishtina’, z. Ibrahim Gashi,
Të nderuar përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare, mysafirë,
Të respektuar autorë, studiues, botues, studentë,


Edhe në ditë të zakonshme, ardhja në Bibliotekën Kombëtare dhe Universitare është gjithmonë një ndjenjë e veçantë. Është ai moment kur njeriu kujton rrugëtimin e popullit tonë nëpër vite dhe natyrisht kontributin dhe sakrificën e shumë brezave për të sotmen dhe të ardhmen.

Biblioteka Kombëtare dhe Universitare e Kosovës për më shumë se 60 vjet ka rrëfyer dhe ruajtur momentet e ecjes sonë dhe i ka dhënë dritë qëllimeve tona. Për më tepër, ky institucion ka qenë pjesë e krenarisë sonë, simbol i vlerave tona të mirëfillta dhe emri më të cilin gjithmonë me mburrje i jemi prezantuar popujve të tjerë.

Dua të shpreh me këtë rast, edhe një herë, respektin për njërin prej njerëzve që i ka dhënë shumë këtij institucioni, poetin Bedri Hysa, që ndërroi jetë ditë më parë.

Edhe më e veçantë është ardhja këtu në hapjen e Javës së Bibliotekës, që për 11 edicione ka qenë një nga aktivitetet kryesore që ka ndihmuar procesin e zhvillimit të Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare të Kosovës dhe bibliotekarisë në Kosovë, duke ecur kështu me trendët botërore, dhe duke e afruar këtë institucion çdo herë e më shumë me lexuesit dhe me publikun në përgjithësi. Dua të përgëzoj drejtorin e BKUK-së, z. Sali Bashota, dhe gjithë punëtorët e këtij institucioni për punën e mirë që e bëjnë çdo ditë.

Një punë e madhe është bërë sidomos në lidhjen e bashkëpunimit me biblioteka anembanë botës, një kontribut thelbësor ky, jo vetëm për këtë institucion, por edhe për kulturën tonë.

Po ashtu, shpreh mirënjohjen dhe konsideratën tonë të lartë edhe për të gjithë partnerët tanë, partnerët e Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare, që për 13 vjet kanë sjellë përvojën e tyre për një zhvillim sa më të shpejtë e më cilësor të punës në këtë institucion.

Edhe sivjet program i Javës së Bibliotekës është shumë i larmishëm dhe shumë domethënës, që besoj se do të kontribuoj edhe më shumë në rolin që ka ky institucion në zhvillimin e shoqërisë dhe për përpjekjet e përditshme që biblioteka të ruaj kujtesën e popullit, dhe të jetë për më tepër, një urë lidhëse mes njerëzve dhe vendeve.

Të nderuar të pranishëm,

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në dy vitet e fundit ka pasur ndër prioritetet e saja rritjen e mbështetjes për librin, botimet dhe për bibliotekat. Për këtë ne tashmë kemi rritur buxhetin dhe kemi zhvilluar idetë e përkrahjes që jep shteti në këtë drejtim. Vitin e kaluar ne kemi miratuar programet e reja të përkrahjes për librin dhe botimet. Përveç formës së mbështetjes për botimin e titujve të ri të librave, Ministria, për herë të parë këtë vit, do të ndajë fonde të veçanta për blerjen e librave dhe për shpërndarjen e tyre në bibliotekat komunale. Po ashtu ne do të mbështesim nga ky vit në mënyrë të veçantë edhe botimin e revistave letrare.

Por, përveç kësaj, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, sivjet në kuadër të konkursit për projekte kulturore dhe duke u bazuar në Ligjin e ri për Bibliotekat, për së pari ka ndarë një fond të veçantë edhe për pasurimin e fondit të shumë bibliotekave komunale si dhe të bibliotekës për të verbrit "Syri Ynë" në Prishtinë. Si pjesë e politikave tona programore ka qenë dhe është, po ashtu, edhe mbështetja për shoqatat e ndryshme të librit, të botuesve dhe të shkrimtarëve, përkrahje kjo që është rritur dukshëm në dy vitet e fundit.

Natyrisht, për të lëvizur gjërat përpara shpesh duhet një bazë e mirë  ligjore. Vitin e kaluar ne kemi miratuar Ligjin për Bibliotekat, dokument ky që tashmë po sjell ndryshimet praktike dhe parasheh edhe një hap tjetër të rëndësishëm të zhvillimit të bibliotekarisë në Kosovë. E këtë hap do ta nisim bashkërisht sot. Bashkë me Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ministrinë e Financave, Universitetin e Prishtinës ‘Hasan Prishtina’ dhe Bibliotekën Kombëtare dhe Universitare të Kosovës, do të nënshkruajmë memorandumin e mirëkuptimit për ndarjen e këtij institucioni ku jemi sot. Pra, ne do të kemi Bibliotekën Kombëtare, që do të jetë një institucion i ndërlidhur me Ministrinë e Kulturës, dhe Bibliotekën Universitare, që do të jetë pjesë e Universitetit të Prishtinës.

Ligji për Bibliotekat ka paraparë qartë misionin e secilës prej këtyre dy bibliotekave dhe në pajtim me kompetencat që me jep ligji, në ditët e ardhshme unë do të emërojë Këshillin Drejtues të Bibliotekës Kombëtare, i cili do të punojë në hartimin akteve normative, të nevojshme për avancimin e mëtutjeshëm të këtij institucioni të rëndësishëm. Ky është një objektiv që është shtruar para disa vjetësh, dhe jam i lumtur që po e bëjmë këtë tashmë. S’ka dyshim se me këtë ne bëjmë edhe një hap të rëndësishëm në zhvillimin e bibliotekarisë dhe krijimin e zinxhirit institucional në pajtim me praktikat më të mira të kësaj fushe.

MKRS garanton se do të jetë gjithnjë në përkrahje të menaxhmentit të Bibliotekës Kombëtare, duke luajtur gjithmonë vetëm rolin e lehtësuesit, për kushte më të mira të punës, për pasurimin e fondit dhe për lidhje të bashkëpunimit me institucione ndërkombëtare simotra. Ne tashmë kemi filluar angazhimet në këtë drejtim.

Zonja dhe zotërinj,

Duke ju falënderuar edhe një herë gjithë juve që keni kontribuar në zhvillimin e bibliotekarisë në Kosovë, dëshiroj t’ju uroj vërtetë një javë të suksesshme dhe të dobishme, duke shprehur edhe një herë përkrahjen e MKRS-së për hapat e mëtutjeshëm në këtë drejtim.

Ju faleminderit!

Prapa