Infrastruktura e sportit dhe Rekuizitat e sportit

Infrastruktura sportive është kushti themelor për përmirësimin e kualitetit të aktiviteteve sportive si dhe ngritjen e sportit në nivelin e standardeve të pranueshme ndërkombëtare.

Me gjithë ndërhyrjet dhe investimet që janë bërë nga Departamenti i sportit viteve të fundit, gjendja e infratrukturës së sportit mbetet akoma larg nivelit të dëshiruar. Kjo edhe për faktin se Departamentit të sportit akoma nuk i është ndarë ndonjë fond përmbajtësor për investimet kapitale (objektet e reja të sportit) nga autoritetet e larta qeveritare.

Ngritja e kualitetit të sportit në Kosovë shkon gjithsesi me përmirësimin e objekteve sportive. Ky përmirësim i kualitetit të sportit mund të arrihet me ndërtimin e infrastrukturës së re, rinovimin dhe modernizimin e infrastrukturës ekzistuese sportive.

Qëllimi/ Objektivi


Qëllimi/ objektivi i kësaj politike është përmirësimi i infrastrukturës sportive, modernizimi si dhe  krijimi i mundësive për ndërtimin e infrastrukturës së re të sportit në Kosovë.


Ky do të ishte edhe kusht për ngritjen e cilësisë së sportit dhe krahas kësaj krijimin e mundësive për të ndihmuar sportistët Kosovar të jenë të barabartë në garat ndërkombëtare.

Historiku


Vitet e fundit, Departamenti i Sportit, duke i prezentuar programet e veta për rehabilitimet e vogla, ka kontribuar drejtpërdrejt në riparimin e objekteve sportive në shumicën e rajoneve të Kosovës. Kjo është bërë për arsye se një numër mjaft i madh i objekteve sportive në gjithë Kosovën ishin në gjendje jo të mirë dhe pas rehabilitimeve të vogla ato tani përdoren për aktivitete të ndryshme sportive.

Në vazhdimësi, Departamenti i Sportit ka bashkëpunuar me disa komuna dhe i ka mbështetur projektet e tyre me 50% të mjeteve për ato komuna që kanë pasur bugjet komunal dhe 100% komunat të cilat nuk kanë disponuar me mjete materiale nga fondi komunal.

Kjo është një mënyrë e mirë e bashkëpunimit me komunat e Kosovës në aspektin e rritjes së mundësive investuese përmes financimit të përbashkët, mirëpo në raste të caktuara kanë rezultuar edhe mangësi në përfilljen e rregulloreve, procedurave teknike/administrative, etj.

Politika programore e vitit 2010

Për vitin 2010, politika programore e infrastrukturës së sportit do të koncentrohet në investime më të mëdha të cilat do të mbulojnë më pak komuna.

Është planifikuar të shkohet në investime të reja, respektivisht vazhdimin e ndërtimit të palestrave sportive të filluara nga viti 2008 përkatësisht 2009 (Drenas, Istog, Rahovec, Malishevë, Obiliq, Shtime, Deçan dhe Skenderaj);

Do të shqyrtohen mundësitë teknike dhe administrative për vazhdimin e punëve në palestrat sportive në Klinë dhe Dardanë;

Rinovimi i disa prej objekteve ekzistuese të sportit me qëllim funksionalizimin e tyre dhe krijimin e kushteve për zhvillimin e garave me karakter ndërkombëtar (palestrat dhe stadiumet regjionale);

Caktimi i lokacionit për ndërtim dhe hartimi i projektit të detajuar për Akademia e Sportit e Kosovës (Qendra për aftësim profesional sportiv).

Rekuizitat sportive


Cilësia momentale e infrastrukturës dhe rekuizitave/pajisjeve sportive po rezulton me ngecjen e nivelit të sportit në Kosovë. Pajisjet adekuate sportive mungojnë në përgjithësi ose janë në gjendje të dobët dhe të kualitetit që nuk plotëson standardet e kërkuara për zhvilimin e ndeshjeve/ garave ndërkombëtare. Rritja e cilësisë së sportit shkon krahas me përmirësimin e objekteve dhe pajisjeve sportive në Kosovë.

Qëllimi


Qëllimi kryesor i kësaj politike programore është që të ndikojë në modernizimin e objekteve sportive me mjete të cilat do t’i përshtaten standardeve të sportit cilësor.

Kjo politikë programore (bashkë me aneksin), në kombinim me politikat tjera zhvillimore të sportit me kohë do të japin fryte në rritjen e cilësisë së sportit në Kosovë dhe do të kontribuojnë që sportistët kosovar të ngriten profesionalisht.

Strategjia dhe metodologjia e implementimit/ zbatimit

  • Mbështetje e drejtorive komunale të projekteve për rekuizita sportive me ndihmën e të cilave ndikohet në modernizimin e objekteve sportive;
  • Mbështetje e federatave të sportit për projektet të cilat do të përfshijnë nevojat themelore të rekuizitave për zhvillimin e sportit cilësor;
  • Blerja e paisjeve speciale për garime në nivel ndërkombëtar;
  • Përkrahje projekteve të sporteve të cilat kërkojnë rekuizita sportive grupore.

KOSOVO IN UNESCO