Raporti nga Forumi #3 – Novobërdë

Forumi i Trashëgimisë Kulturore
Forumi për Shkëmbim të Informatave Teknike mbi Trashëgiminë Kulturore në Kosovë
[email protected]

Raporti nga Forumi #3 – Novobërdë
24 prill 2009, Muzeu i Kosovës

Pjesëmarrësve u uroi mirëseardhje z. Arnaud Appriou, Komisioni Evropian – Drejtoria e Përgjithshme për Zgjerim (DGJ), u pasua nga z. Sami Piraj, Drejtori i porsaemëruar i Kulturës në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve (MKRS) dhe Kryetari i Novobërdës, z. Bajrush Ymeri.

Z. Appriou e përsëriti zotimin e Komisionit Evropian dhe të Këshillit të Evropës ndaj trashëgimisë kulturore në rajonin e Ballkanit, në kuadër të procesit të Lubjanës. Ndër të tjera, z. Appriou i informoi pjesëmarrësit se UNESCO ka shprehur interesin e vet që të marrë pjesë aktivisht në këtë forum. Por asnjë përfaqësues i UNESCO-s nuk ishte në dispozicion për këtë seancë të caktuar.

Në emër të MKRS-së, z. Sami Piraj u uroi mirëseardhje pjesëmarrësve dhe shprehu se trashëgimia kulturore është njëra nga prioritetet kryesore të Ministrisë. U vu theksi në potencialin e Novobërdës si tërësi, e jo vetëm te kështjella dhe vlerat e diversitetit të saj kulturor.

Kryetari i Novobërdës, z. Ymeri i falenderoi organizatorët dhe të gjithë pjesëmarrësit për interesimin e treguar për komunën nga e cila ai vjen. Kryetari i Komunës dha një pasqyrë të përgjithshme të komunës, duke e theksuar kompleksitetin e saj demografik, si dhe vlerat e saj kulturore dhe natyrore. Për më tepër, z. Ymeri bëri të ditur se komuna ka miratuar  “strategjinë për zhvillimin e turizmit rural” dhe “strategjinë për zhvillimin ekonomik lokal”, dokumente këto që u hartuan në bashkëpunim me CARE International. 

Drejtori i Institutit për Mbrojtjen e Monumenteve të Kosovës (IMMK), z. Baki Svirca mbajti një prezantim për lokacionin e trashëgimisë kulturore të Novobërdës, aktivitetet që janë në vazhdim e sipër, sfidat dhe perspektivat për të ardhmen.

Z. Svirca paraqiti disa rezultate të një studimi të zhvilluar kohëve të fundit në atë lokalitet.  Ai vuri theksin në numrin dhe larminë e objekteve përreth lokacionit, përtej vetë kështjellës. Ai sugjeroi se perimetri mbrojtës – aktualisht i definuar nga një Zonë e Veçantë Mbrojtëse – ndoshta duhet të zgjerohet.

Në prezantimin e tij u paraqit një hartë me veçoritë që gjenden brenda perimetrit të zonës së veçantë mbrojtëse, që tregon kështjellën dhe disa ngastra të tjera të cilat janë pronë e Institutit për Mbrojtjen e Monumenteve të Kosovës. Ngastrat e tjera janë në pronësi shoqërore, ndërsa vetëm pak sosh janë në pronësi private.

MKRS-ja konfirmoi se Qeveria, lokacionit të Novobërdës ia ka dedikuar një buxhet prej  300.000 Euro për periudhën 2009-2011. Vitin e kaluar, 40.000 Euro i janë dedikuar vlerësimit të kushteve aktuale të kështjellës.

Menaxheri i lartë i projektit nga CARE International, z. Alban Ibrahimi, prezantoi aktivitetet e kësaj organizate në Novobërdë gjatë 9 vjetëve të kaluara. Projekti kryesisht ishte përqendruar në ngritjen në një shkallë më të lartë të ekonomisë lokale dhe të zhvillimit të turizmit. Një pasqyrë më të hollësishme të këtyre aktiviteteve mund ta gjeni në faqen zyrtare të internetit: http://www.careks.org/

Nga pjesëmarrësit u ngritën disa shqetësime:

Informatë

U arrit konsensusi që bordet e informatave duhet të vendosen më sistematikisht në lokacionet e trashëgimisë kulturore, duke i informuar vizitorët për historinë e lokacionit dhe mbrotjen e tij ligjore. MKRS-ja njoftoi se së shpejti do të zbatohet një qasje më sistematike ndaj bordit të informatave.

Vërtetësia e historisë siç u prezantua aktualisht në lidhje me bordin e informatave në Novobërdë u sfidua nga një pjesëmarrës. U diskutua shkurtimisht edhe për procesin e hartimit të një bordi të tillë të informatave, po ashtu u nënvizua edhe nevoja për gjetjen e rrugëve për ndërtimin e konsensusit sa u përket informatave që do t’u jepen vizitorëve. Drejtori i IMMK-së shprehu brengat e veta sa i përket qasjes në informata, përfshirë qasjen në arkivin që gjendet në Beograd.

Strategjia e zhvillimit dhe marrëdhëniet institucionale
U theksua edhe nevoja për një artikulim më të mirë të disa elementeve të strategjisë për ruajtjen dhe zhvillimin e lokacionit. Po ashtu, u theksua se përtej qëllimeve të mira, këto duhet të shndërrohen në veprime konkrete.

Gërmimet e paligjshme
Gërmimet e paligjshme u identifikuan si njëri nga problemet më të mëdha në kështjellën e Novobërdës. U nënvizua se kjo është një çështje e ngutshme, e po ashtu edhe nevoja për një prani të përhershme të sigurisë. Kryetari i Komunës theksoi se ata kanë resurse të kufizuara dhe se nuk mund ta angazhojnë edhe një punonjës më tepër. U cek se zhvillimi i disa veprimtarive ekonomike në atë lokacion do të mund të kishte efekte pozitive në aspektin e sigurimit të një pranie të përhershme, e si rrjedhojë të sigurisë.

Një përmbledhje e diskutimit u prezantua nga z. Frederic Saliez nga zyra e EUSR-së.
Takimi u udhëhoq nga znj. Burbuqe Deva, Udhëheqëse e Divizionit të Trashëgimisë Kulturore në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.

Takimi i radhës i Forumit

Më 4 qershor

Trashëgimia Kulturore dhe Arsimi, si dhe diskutimi për përgatitjen e Ditëve të Trashëgimisë Kulturore Evropiane në Shtator.

Në korrik-gusht
Nuk do të ketë takime formale, por gjatë verës do të organizohen vizita në terren.

Këtu hyn vizita në Kampin Veror arkeologjik në Ulpianë, (në fund të gushtit).

Prapa