Përurohet restaurimi i Muzeut Arkeologjik në Prizren

21.05.2015

Me rastin e përfundimit të punëve restauruese-konservuese të Muzeut Arkeologjik në Prizren, dje u bë përurimi i finalizimit të këtij procesi, dhe qyteti u pasurua edhe me një objekt tjetër të trashëgimisë kulturore. Në këtë organizim ishin prezent përfaqësues të institucioneve lokale dhe qendrore dhe donatorët amerikanë.

Në emër të Ministrit për Kulturë, Rini dhe Sport z. Kujtim Shala, të pranishmit i përshëndeti Sekretari i Përgjithshëm, z. Veton Firzi i cili theksoi se ky muze posedon vlera të veçanta, prandaj edhe renditet në listën e prioriteteve të kësaj ministrie. Ai i falënderoi të gjithë ata që kanë dhënë kontribut në jetësimin e këtij projekti, duke veçuar me këtë rast mbështetjen e Ambasadës së SHBA-së.

Ndërkaq Jeffrey Jamison, Shefi i zyrës për diplomaci publike në ambasadën e SHBA-ve në Prishtinë, tha se ky projekt është një arritje e veçantë që paraqet model bashkëpunimi. Ai po ashtu shfaqi dëshirën që qytetarët e Prizrenit dhe vizitorët e tjerë t’i përjetojnë në maksimum vlerat e Muzeut Arkeologjik.

Në cilësinë e nikoqirit, Samir Hoxha, drejtor i Qendrës Rajonale të Trashëgimisë Kulturore, foli për historikun e këtij muzeu duke theksuar se ky monument është i rëndësisë së veçantë jo vetëm për vendin tonë por edhe për rajonin. Ai tha se zbatimi i këtij projekti po krijon një qasje të re institucionale kundrejt trashëgimisë kulturore të Kosovës.

Ndërkaq, për ecurinë e zhvillimit të projektit, arkitektja Iliriana Mejzini, shpjegoi se ky ishte një projekt voluminoz megjithatë nuk ka pas nevojë për përforcime të shtrenjta dhe të rrezikshme.

Ndërkaq Kujtim Gashi, kryesues i Asamblesë Komunale të Prizrenit, tha se ky objekt do te jetë pjesë e katalogëve turistikë dhe destinacion i turistëve të shumtë që ka qyteti gjatë gjithë vitit.

Prapa