Mbahet Gjysmëmaratona “Prishtina 2015”

10.05.2015

Sot, në Prishtinë, nën organizimin e Federatës së Atletikës së Kosovës, është mbajtur edicioni i 15-të i Gjysmëmaratonës Ndërkombëtare “Prishtina 2015”, ku morën pjesë 1 mijë e 200 garues nga shumë shtete të botës në një shteg prej 21 kilometra.

Këtë ngjarje të rëndësishme sportive e shpalli të hapur kryetari i Federatës së Atletikës së Kosovës (FAK), Halil Sylejmani, kurse në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës garën e përshëndeti zëvendësministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), Rexhep Hoti.

Zëvendësministri Hoti ka falënderuar të gjithë pjesëmarrësit në gjysmëmaratonë si dhe ka vlerësuar numrin e madh të vrapuesve dhe organizimin e kësaj ngjarjeje duke theksuar se gjysmëmaratona është një promovim jo vetëm për sportin por edhe për vendin tonë në përgjithësi.

Hoti ka thënë se Gjysmëmaratona “Prishtina 2015” është mbështetur nga MKRS-ja dhe se do ta mbështesë këtë aktivitet sportiv edhe në të ardhmen.

Fitues të gjymëmaratonës janë sportistët nga Kenia, të cilët zunë tri vendet e para në të dy gjinitë, ndërkohë që suksesin më të madh nga përfaqësuesit e Kosovës e arritën: Suad Kryeziu e Luljeta Shala.

Shuma prej 13.000 euro iu dhurua garuesve më të mirë në konkurrencën e seniorëve, tre në kategorinë e veteranëve, tre garuesve të vrapimit me 5 kilometra dhe tre garuesve me aftësitë e kufizuara, në të dy gjinitë.

Gara është përcjellë nga një numër i konsiderueshëm qytetarësh dhe ka qenë mjaftë interesante për shkak se në të kanë marrë pjesë atletë elitarë nga vende të ndryshme të botës.

Prapa