Ministri Shala takoi drejtuesit e FMKG-së

15.04.2015

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), Kujtim Shala, ka pritur sot në një takim drejtuesit e Federatës së Mini-Golfit të Kosovës (FMGK), të kryesuar nga presidenti i kësaj federate, Lavdim Zylfiu. Në këtë takim u diskutua për organizimin në Kosovë të Kampionatit Ndërkombëtar të Mini-Golfit dhe për mbarëvajtjen dhe sukseset e këtij sporti në Kosovë.

Kryetari i FMGK-së, Lavdim Zylfiu, e njoftoi ministrin se në vitin tjetër në Kosovë pritet të organizohet Kampionati Ndërkombëtar i Mini-Golfit, në të cilin marrin pjesë mbi 15 përfaqësuese garuese nga vende të ndryshme të botës. Zylfiu kërkoi mbështetjen e MKRS-së dhe të institucioneve të sportit për ta mundësuar organizimin e këtij kampionati. Sipas tij, një ngjarje e këtillë do të ndikonte në masivizimin dhe promovimin e mëtejmë të këtij sporti në vendin tonë si dhe në promovimin e vendit tonë ndërkombëtarisht.

Ndër të tjera, Zylfiu e informoi ministrin Shala për historikun e këtij sporti në Kosovë dhe për organizimin e punën e federatës të cilën ai e drejton. Gjithashtu, ai foli edhe për aktivitetet dhe garat që zhvillon federata. FMKG-ja, tha ai, është prej federatave të para e cila është pranuar ndërkombëtarisht dhe në garat jashtë vendit që kanë përfaqësuar Kosovën kanë pasur rezultate të jashtëzakonshme.

Ministri Shala theksoi se organizimi i një kampionati botëror i këtij sporti është i një rëndësie të veçantë dhe kjo ngjarje mund të konsiderohet edhe një dëshmi tjetër se vendi ynë mund të organizojë ngjarje të mëdha sportive. Po ashtu, kjo do të ndikonte që vendi ynë të bëhej një adresë e rëndësishme e këtij sporti dhe do të përbënte shembull për vendet e rajonit.

Prapa