Për organizimin e një kampionati ndërkombëtar në hendboll

07.04.2015

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), Kujtim Shala, ka pritur sot në një takim Kryetarin e Federatës së Hendbollit të Kosovës (FHK), Eugen Saraçinin, me të cilin u diskutuan mundësinë e organizimit në Kosovë të Kampionatit të Hendbollit të Vendeve në Zhvillim për Meshkuj.

Kryetari i FHK-së, Eugen Saraçini, e njoftoi ministrin Shala për mbarëvajtjen e përgjithshme të sportit të hendbollit tashmë pas ndërkombëtarizimit. Ai e informoi ministrin se në takimin e fundit që ka mbajtur IHF ka shfaqur interesimin për organizimin e Kampionatit të Hendbollit të Vendeve në Zhvillim për Meshkuj dhe ka ftuar shtetet të aplikojnë për organizimin e këtij kampionati, në të cilin marrin pjesë 20 ekipe garuese. Saraçini kërkoi mbështetjen e institucioneve të Kosovës dhe në veçanti të MKRS-së në këtë drejtim për ta mundësuar organizimin e këtij kampionati.

Ministri Shala theksoi se organizimi i një kampionati të tillë në Kosovës është jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe përbën një ngjarje e cila do të promovonte vendin tonë dhe do të ndikonte në rritjen e cilësisë dhe të konkurrencës në sportin e hendbollit.

Ministri Shala e ofroi mbështetjen e plotë në këtë drejtim, si dhe inkurajoi kryetarin Saraçini që përgatitja e dokumentacionit të nevojshëm dhe finalizimi i procedurave të kryhet sa më shpejt me qëllim që Kosova të konkurrojë dhe të fitojë mundësinë e organizimit të kësaj ngjarje të rëndësishme me karakter ndërkombëtar.

Ndër të tjera, ministri Shala e ka njoftuar kryetarin Saraçini se tashmë procesi i plotësimit të infrastrukturës ligjore ka filluar dhe në gjysmën e parë të vitit pritet finalizimi i shumë projekteve infrastrukturore sportive. Po ashtu, ministri është shprehur se MKRS-ja në koordinim me Ministrinë e Financave ka finalizuar procedurat për pajisjen e federatave sportive me kodet e veçanta buxhetore. Kurse në sferën e infrastrukturës ligjore, ministri ka thënë se së shpejti pritet miratimi i ligjeve të reja që kanë të bëjnë me sportin.

Prapa