Ministri Shala: Shtëpia e Xhafer Devës ka mundësi të restaurohet

01.04.2015

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, ka qëndruar dje në Mitrovicë për të parë për së afërmi shtëpinë e Xhafer Devës, pas shpërthimi të zjarrit të shtunën në këtë objekt të Listës së Trashëgimisë Kulturore për mbrojtje të përkohshme.

Ministri është njoftuar për gjendjen e objektit nga zyrtarët e Komunës e Mitrovicës, dhe në bazë të vlerësimeve të ekipeve profesionale është vlerësuar se baza statike e shtëpisë së Xhafer Devës ka mbetur e qëndrueshme dhe ka mundësi të restaurohet.

Ministri Kujtim Shala ka thënë se fillimisht janë ndarë 115 mijë euro për restaurimin e objektit, por pas dëmeve që ka shkaktuar zjarri në këtë objekt, kjo shumë është e pamjaftueshme për restaurimin e plotë të tij.

“Nga zyrtarët e komunës u njoftuam në detaje rreth dëmeve të shkaktuara. Ato konsiderohen të mëdha, por është shumë me rëndësi që gjendja statike e objektit është e mirë dhe ka mundësi të restaurimit të shtëpisë, e cila është pjesë e programit të ministrisë për restaurim gjatë këtij viti”, tha ministri Shala.

Gjatë qëndrimit në Mitrovicë, ministri Shala ka vizituar edhe Qendrën e Kulturës “Rexhep Mitrovica, për të parë mundësinë e financimit në këtë objekt, si dhe Palestrën e Sporteve “Minatori”, e cila është në procesin final të renovimit.

Ministri Shala ka kërkuar që punët në këtë objekt të kryhen sa më parë dhe palestra të vihet në punë dhe të shërbejë për nevojat e sportistëve të këtij qyteti.

Prapa