MKRS po ndërton politika për forcimin e institucioneve kulturore

31.03.2015

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), Kujtim Shala, ka takuar sot përfaqësuesen e “Culture for All”, Lila Skarveli, me të cilën kanë diskutuar për promovimin e kulturës së Kosovës jashtë vendit dhe bashkëpunimin kulturor në vendet evropiane.

Ministri Shala e falënderoi Skarvelin për kontributin e saj që ka dhënë për kulturën në përgjithësi, veçanërisht atë në balet, për ofrimin e përvojës së saj profesionale me qëllim të prezantimit sa më të suksesshëm të organizatave kulturore e të artistëve kosovarë në ngjarjet kulturore ndërkombëtare.

Gjithashtu, ministri e informoi Skarvelin se MKRS po mundohet të ndërtojë politika të atilla që të forcohen institucionet kulturore dhe për t’u arritur kjo kemi shumë punë për të bërë dhe kemi nevojë edhe për ekspertizë të jashtme. Ai tha se MKRS është e gatshme të bashkëpunojë me profesionistë të fushës së kulturës duke pasur për synim avancimin e saj në vend dhe përfaqësimit sa më cilësor ndërkombëtar.

Ndërsa, Lila Skarveli, tha se ndjehet e kënaqur që ka pasur mundësinë që të ndihmojë artistët e organizatat kulturore dhe ofroi gatishmërinë për të bashkëpunuar edhe më tej. Ajo e ka informuar ministrin për punën që është bërë deri më tani, duke theksuar se fokusi ka qenë në prezantimin e artistëve dhe ideve kreative kulturore në skenën ndërkombëtare që kultura e Kosovës të njihet sa më shumë jashtë.

Prapa