Shala takoi të ngarkuarin me punë të Luksemburgut, Weber

30.03.2015

Zëvendëskryeministri Kujtim Shala, njëherësh ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, priti sot në një takim të ngarkuarin me punë të Luksemburgut në Kosovë, Pierre Weber, me të cilin diskutuan për mundësinë e zhvillimit të një ndeshje miqësore mes Kosovës e Luksemburgut në futboll. Të dy biseduan po ashtu edhe për shkëmbim të artistëve dhe bashkëpunim në projekte kulturore, me qëllim të njohjes më të madhe mes dy vendeve.

Ministri Shala ka falënderuar të ngarkuarin me punë të Luksemburgut, Weber, për përkrahjen e deritashme që ka dhënë shteti i tij për Kosovën dhe rrugëtimin e saj drejt BE-së. Ai shpalosi idenë e organizimit të një ndeshje miqësore në futboll mes Përfaqësueses së Kosovës dhe asaj të Luksemburgut.

Ministri e ka njoftuar Weberin për procesin e ndërkombëtarizimit të sportit kosovar dhe për rritjen e obligimeve dhe për këtë ka kërkuar ndihmën e partnerëve ndërkombëtar në mënyrë që të lehtësojnë avancimin e sportit të vendit tonë qoftë në infrastrukturë e masivizim, por edhe në cilësi e konkurrencë.

Ndërkaq, i ngarkuari me punë i Luksemburgut në Kosovë, Pierre Weber, e falënderoi ministrin për pritjen dhe u shpreh se shteti i tij ka vullnet për ta ndihmuar Kosovën në shumë drejtime, sidomos në aspektin e promovimit e përfaqësimit kulturor të saj, përmes dërgimit dhe performimit të artistëve kosovar në vendet e BE-së, e veçanërisht në shtetin nga vjen ai duke bërë të mundur kësisoj njohjen për më së afërmi të kulturës kosovare.

Weber, gjithashtu, tha se Luksemburgu, vazhdimisht e ka mbështetur Kosovën në rrugëtimin e saj drejt BE-së, veçanërisht në fushat që mbulon MKRS-ja.

Prapa