Zëvendëskryeministri Shala takoi Përfaqësuesin e UNDP-së për Kosovë

26.03.2015

Zëvendëskryeministri Kujtim Shala, njëherësh ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, priti sot në një takim Përfaqësuesin dhe Koordinatorin e UNDP-së në Kosovë, Andrew Russell. Të dy biseduan për politikat dhe angazhimet konkrete në sektorin e rinisë, me theks të të rinjve të komuniteteve pakicë në Kosovë, po ashtu edhe për çështje që i përkasin fushës së trashëgimisë kulturore.

Ministri Shala ka njoftuar koordinatorin e UNDP-së, Russell, për politikat dhe aktivitetet që planifikon MKRS-ja në fushën e rinisë, për planet e ndërtimit të Strategjisë për Rininë dhe Planin e Ri të Veprimit ku rëndësi e veçantë do të parashihet edhe për komunitetet pakicë, edukimin dhe integrimin sa më të madh social të tyre. Ky proces do të realizohet duke shfrytëzuar infrastrukturën dhe rrjetin e hapësirave publike që ka Kosova, si bibliotekat e qyteteve, qendrat e kulturës dhe të rinisë.

Gjithashtu, zëvendëskryeministri e ka informuar për Ligjin e ri të Trashëgimisë Kulturore, ku sipas tij trashëgimia kulturore shihet si tërësi, si trashëgimi kulturore e Kosovës dhe në ligj është i përfshirë edhe aspekti i trashëgimisë së komuniteteve, përkrahja dhe ruajtja e trashëgimisë së tyre si trashëgimi e Kosovës. Në kuadër të mbështetjes së komuniteteve, ministri tha se MKRS-ja ka një divizionin të veçantë për diversitetin kulturor ku projektet e pjesëtarëve të këtyre komuniteteve subvencionohen nga shteti.

Ministri ka falënderuar përfaqësuesin e UNDP-së për mbështetjen e vazhdueshme që organizata i ka dhënë MKRS-së dhe shprehi gatishmërinë e tij që bashkëpunimi të thellohet edhe më tutje. Ai mirëpriti gatishmërinë e UNDP-së që të jep kontribut në hartimin e Strategjisë, por edhe ndihmesën në zbatimin e saj

Nga ana e tij, përfaqësuesi i UNDP-së, Andrew Russell, e falënderoi ministrin për gatishmërinë e ofruar për fuqizimin dhe përkrahjen e rinisë, sidomos të komuniteteve pakicë. Ai e përgëzoi dhe uroi zëvendëskryeministrin Shala për punën dhe planet që ka për synim t’i realizojë dhe ofroi mbështetjen në këtë drejtim.

Po ashtu, Russell, theksoi se ligji i ri për trashëgiminë është i mirëseardhur dhe se identifikimi i objekteve dhe lokaliteteve të reja si dhe konservimi e restaurimi i tyre duhet të mbetet prej prioriteteve.

Prapa