Zëvendëskryeministri Shala takoi ambasadoren e UNICEF-it për Kosovë

24.03.2015

Zëvendëskryeministri Kujtim Shala, njëherësh ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, priti sot në një takim Shefen e Zyrës së UNICEF-it në Kosovë, ambasadoren Laila Omar Gad, me të cilën biseduan për politikat dhe angazhimet konkrete në sektorin e rinisë, si dhe për hapat e përbashkët që do të mund të ndërmirren në të ardhmen nga ana MKRS-së dhe e UNICEF-it.

Ministri Shala ka njoftuar ambasadoren Omar Gad për politikat dhe aktivitete e MKRS-së në fushën e rinisë, për punën e grupeve punuese për rishikimin e Strategjisë për Rininë dhe Planin e Ri të Veprimit, si dhe punën e grupeve punuese për plotësim-ndryshimin e Udhëzimit Administrativ për Edukimin Joformal e Udhëzimin Administrativ për Vullnetarizmin.

Ministri ka falënderuar ambasadoren Omar Gad për mbështetjen e vazhdueshme që i ka dhënë UNICEF-i MKRS-së dhe shprehi gatishmërinë e tij që bashkëpunimi të thellohet edhe më tutje. Ai mirëpriti gatishmërinë e UNICEF-it që të japë kontribut në hartimin e Strategjisë, por edhe ndihmesën në zbatimin e saj.

Ndërsa, shefja e Zyrës së UNICEF-it në Kosovë, Laila Omar Gad, pasi falënderoi ministrin për pritjen dhe bashkëpunimin e ofruar deri më tani, u shpreh e gatshme që përkrahja nga UNICEF-i të rritet dhe që të ketë sa më shumë projekte të përbashkëta.

Ambasadorja Omar Gad vlerësoi të arriturat e shënuara deri më tani dhe shfaqi besimin se në të ardhmen do të ketë edhe më shumë zhvillime pozitive në bashkëpunimin ndërmjet MKRS-së dhe UNICEF-it.

Prapa