Ministri Shala vizitoi lokalitetin arkeologjik të Ulpianës

17.03.2015

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), Kujtim Shala, ka vizituar sot lokalitetin arkeologjik të Ulpianës, për të parë nga afër vërshimet e ujit që kanë kapluar këtë lokalitet si pasojë e reshjeve, rrjedhës së ujërave nëntokësorë dhe nivelit të ulët të tij krahasuar me pjesët tjera në atë hapësirë.

Ministri tha se në bashkëpunim me institucionet e Trashëgimisë Kulturore do të evitohet shumë shpejtë ky problem, përmes drenazhimit dhe pompimit të ujit sapo të krijohen kushtet atmosferike. Fatmirësia, përkundër sasisë së madhe të ujit, sipas ministrit, është se lokaliteti nuk ka pasur ndonjë dëmtim. Ai gjithashtu theksoi se ky problem duhet të mënjanohet përfundimisht por është pak më i vështirë, ku ekspertët propozojnë që për të evituar rrjedhën e ujit, ky lokalitet duhet të futet nën kanalizim.

Ndërkaq, drejtori i Institutit Arkeologjik të Kosovës (IAK), Enver Rexha, theksoi se sa i përket anës së arkeologëve atë e kanë bërë atë që kanë mundur, por me natyrën nuk mund të luftohet. Ai tha se pjesët të cilat i ka mbuluar uji nuk janë të konservuara kështu që nuk kanë pësuar ndonjë dëm.

Po ashtu, Rexha e informoi ministrin për punët dhe gërmimet që janë bërë në këtë lokalitet si dhe për planet që kanë për këtë vit.

Nga ana tjetër, ministri Shala, ofroi mbështetjen e plotë të MKRS-së për Institutin Arkeologjik të Kosovës dhe theksoi se është e rëndësishme që përmes dokumentimit arkeologjik të dëshmohet edhe kjo pasuri e trashëgimisë kulturore e vendit tonë.

Prapa