Zëvendëskryeministri Shala vizitoi Fushë Kosovën, Obiliqin e Vushtrrinë

24.02.2015

Zëvendëskryeministri Kujtim Shala, njëherësh ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ka vizituar sot komunat e Fushë Kosovës, Obiliqit e të Vushtrrisë, ku është takuar me kryetarët Burim Berisha, Xhafer Gashi, respektivisht Bajram Mulaku, me të cilët ka diskutuar për projektet që pritet të zhvillohen e të finalizohen gjatë këtij viti në këto komuna.

Zëvendëskryeministri Shala, gjatë takimit në Fushë Kosovë, e informoi kryetarin Berisha se MKRS-ja ka filluar të punojë në kryerjen e obligimeve dhe vënies e punëve në vendin e tyre. Gjithashtu, ministri Shala u shpreh se është rritur mundësia e MKRS-së për subvencione dhe investime për këtë komunë, në projekte në fushat e kulturës, trashëgimisë, rinisë dhe sportit. Ai tha se buxheti për librin nga ana e MKRS-së është katërfishuar dhe fondi i librave do të destinohet edhe për bibliotekat komunale.

Ndërkaq, kryetari i Komunës së Fushë Kosovës, Burim Berisha, ka falënderuar zëvendëskryeministrin Shala për vizitën dhe e ka uruar për detyrën. Ai tha se pret që të kenë një bashkëpunim të frytshëm dhe realizim të projekteve në mënyrë që të përmbushen objektivat e parapara të komunës, sidomos në investimet në infrastrukturën sportive, mbështetjen e projekteve konkrete kulturore dhe të trashëgimisë.

Kurse në vizitën që i ka bërë Komunës së Obiliqit, Shala e ka njoftuar kryetarin Xhafer Gashi se ka ardhur të dëgjojë për së afërmi për nevojat dhe kërkesat më urgjente që ka Kastrioti të cilat nevojitet të përmbushen. Gjithashtu, zëvendëskryeministri theksoi se do të ketë një bashkëpunim dhe do të përkrah projektet e aktivitetet kulturore të kësaj komune. Zëvendëskryeministri Shala theksoi se do të orientohet që të përkrah më shumë komunat e vogla në projekte që i mbulon MKRS-ja, që komunat t’i shtojnë aktivitet e tyre kulturore e sportive, krahas atyre tradicionale.

Kryetari i Obiliqit, Xhafer Gashi, e uroi ministrin Shala dhe e informoi atë për aktivitetet kulturore dhe projektet që zhvillon komuna dhe për këtë ka falënderuar ministrin për mbështetjen dhe bashkëpunimin e ofruar, duke e potencuar se është e nevojshme të mbështeten investimet kapitale në këtë komunë në fushat e kulturës e sportit.

Në kuadër të vizitave të sotme, ministri Shala ka qëndruar edhe në Vushtrri, ku ka takuar kryetarin Bajram Mulaku. Shala tha se ndodhet në Vushtrri që të bisedojë drejtpërdrejt për nevojat e kësaj komune për fushat që mbulohen nga MKRS-ja, në mbështetjen e projekteve dhe investimin në infrastrukturë në këtë komunë. Ai tha se në këtë vit investimet kapitale janë të fokusuara më shumë në fushën e sportit por fushat tjera do të përkrahen përmes subvencionimit të projekteve konkrete.

Ndërkaq, kryetari i komunës së Vushtrrisë, Bajram Mulaku e ka informuar për projektet që janë duke u realizuar dhe që janë në plan të finalizohen gjatë këtij vitit, me theks në kuadër të Trashëgimisë Kulturore duke pasur parasysh lashtësinë e këtij qyteti. Mulaku tha se pret prej MKRS-së të vazhdojë mbështetjen dhe bashkëpunimin e frytshëm për Komunën e Vushtrrisë.

Prapa