Ministrat Shala e Kumbaro takuan botuesit e librit të Kosovës

20.02.2015

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala dhe Ministrja e Kulturës së Shqipërisë, Mirela Kumbaro – Furxhi, kanë takuar sot në MKRS drejtuesit e Shoqatës së Botuesve të Kosovës, të kryesuar nga Daut Demaku, me të cilët diskutuan për të arriturat dhe sfidat që kanë të bëjnë me librin, botimin dhe shpërndarjen e tij.

Dy ministrat theksuan se do të ketë një kujdes të veçantë për aktivitetet që kanë të bëjnë me librin. Ata thanë se do të bëhet ndryshimi i politikave në raport me botimin e qarkullimin e librit, si dhe furnizimin e bibliotekave.

Përkrahja për botimin, blerjen dhe shpërndarjen e tij do të jetë vazhdimisht në rritje edhe në forma të tjera, përmes mbështetjes për organizimin e panaireve dhe aktiviteteve që kanë të bëjnë me librin dhe botimet tjera në përgjithësi, u tha në takim.

Ndërkaq, drejtuesit e Shoqatës së Botuesve të Kosovës, kanë informuar ministrat Shala e Kumbaro për problemet dhe sfidat me të cilat janë përballen botuesit e librit shqip. Ata theksuan se presin nga shteti i Kosovës dhe i Shqipërisë të rrisin edhe më shumë mbështetjen për librin në përgjithësi përmes bashkëpunimit të frytshëm në mënyrë që libri të marrë pozitën e merituar në shoqërinë tonë.

Prapa