Shala: Do të investohet në përmirësimin e infrastrukturës

10.01.2015

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala dhe kryetari i komunës Drenasit, Nexhat Demaku kanë vizituar sot klubin e futbollit “Feronikeli” dhe kanë parë nga afër punimet që janë zhvilluar në stadiumin “Rexhep Rexhepi”.

Ministri Shala tha se MKRS-ja në radhë parë do të përmbushë obligimet që kanë mbetur në vitin 2014, ndërsa që pas rishikimit të buxhetit 2015, do të shikohen mundësitë që përkrahja të rritet edhe më shumë.

Ai e theksoi se do të investohet në infrastrukturë. “Unë e kuptoj shumë mirë rëndësinë e infrastrukturës pasi që edhe vetë kam qenë dikur futbollist. Ne si ministri e kemi përkushtimin tonë që ta ndihmojmë me të gjitha fuqitë dhe mjetet në disponim futbollin e Kosovës”, tha ministri Shala.

Gjithashtu, ministri Shala vizitoi edhe stadiumin ndihmës që po ndërtohet me donacion të Bashkimit Evropian, i cili besohet se do të përfundojë fundpranverën e këtij viti do të jetë i gatshëm për shfrytëzim nga klubi “Ferronikeli” dhe do të jetë një ndihmesë e madhe për stërvitjen e futbollistëve.

Ndërkaq, kreu i komunës së Drenasit, Nexhat Demaku, e falënderoi ministrin për vizitën dhe e njoftoi ministrin për përpjekjet e komunës që klubit të futbollit “Feronikeli” t’i sigurojë kushte sa më të mira, si edhe në përmirësimin e infrastrukturës.

Ndërsa, kryetari i klubit Ekrem Elshani e informoi ministrin, për punën dhe angazhimet e klubet, sukseset, por edhe vështirësitë që klubi që është kampion vjeshtor në Raiffeisen Superligën e Kosovës, po ballafaqohet veç anëve financiare edhe me mungesën e stadiumit, i cili po renovohet e për të cilin MKRS-ja dhe komuna kanë ndarë në këtë fazë një shumë parash, por që deri në finalizim nevojiten edhe më shumë investime.

Prapa