Ministri Shala priti kryetarin e FHK-së, Eugen Saraçini

18.12.2014

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), Kujtim Shala, ka pritur sot në një takim Kryetarin e Federatës së Hendbollit të Kosovës (FHK), Eugen Saraçinin, me të cilin u diskutuan të arriturat në këtë sport gjatë këtij viti.

Ministri Shala theksoi rëndësinë që, krahas ndërkombëtarizimit të hendbollit të Kosovës në arenën ndërkombëtare, është e nevojshme që të punohet shumë në ngritjen e cilësisë dhe prezantim sa më të mirë si në garat ndërkombëtare, në mënyrë që sportistët tanë të mos jenë më vetëm garues, por edhe konkurrues të denjë.
 
“Ne po punojmë së bashku me federatat dhe Komitetin Olimpik të Kosovës që sportistët dhe sportistet e Kosovës jo vetëm të marrin pjesë nëpër gara të ndryshme evropiane e botërore, por edhe të jenë konkurrentë me të tjerët”, tha ministri Shala, duke veçuar se është në gatishmëri të plotë për bashkëpunim dhe përkrahje të sportit, hendbollit në veçanti.

Ministri Shala e informoi kryetarin Saraçini se tashmë ka filluar të punojë në procesin e përmirësimit të infrastrukturës ligjore. Krahas Ligjit për Sportin, i cili tashmë është pjesë e pakos legjislative të qeverisë, ministria do të punojë shumë në licencimin dhe sponsorizimin në sport. Këta hapa, sipas ministrit Shala, do të ndikojnë drejtpërsëdrejti në sigurimin e cilësisë.

Ndërkaq, kreu i FHK-së, Eugen Saraçini e informoi ministrin Shala për sfidat dhe hapat që e presin FHK-në në të ardhmen, tashmë pas ndërkombëtarizimit të plotë. Edhe sipas tij, ngritja e cilësisë së hendbollit vendor, si dhe rritja e mbështetjes përmes sponsorizimeve e donacioneve të ndryshme dhe përmendi se do të jenë në partneritet të plotë me MKRS-në.
 
Të dy janë pajtuar që përveç mbështetjes për hendbollin prej nivelit qendror, duhet edhe një përkrahje nga bizneset dhe pushteti lokal.
 

Prapa