Ministri Shala priti ambasadoren amerikane Jacobson

15.12.2014

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, priti sot, në një takim njohës, ambasadoren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Tracey Ann Jacobson. Me të ministri Shala bisedoi për zhvillimet në fushën e kulturës, sportit dhe rinisë në Kosovë.

Ministri Shala e falënderoi ambasadoren dhe, përmes saj, qeverinë dhe popullin amerikan për ndihmën e vazhdueshme që kanë dhënë për ndërtimin e jetës demokratike në Kosovë. Po kështu, ministri Shala ritheksoi faktin se mbetet i përkushtuar të punojë që të ketë shumë të arritura në të ardhmen. Ministri Shala falënderoi ambasadoren Jacobson për ndihmën që shteti i saj ka dhënë në çdo segment në Kosovë, në veçanti në mbështetje të kulturës, sportit e trashëgimisë kulturore. Ai përmendi përkrahjen që Ambasada Amerikane ka dhënë në projekte konkrete të trashëgimisë kulturore, në restaurimin e objekteve të trashëgimisë në kulturore.

Ministri shprehu gatishmërinë për thellim të bashkëpunimit mes MKRS-së dhe Ambasadës Amerikane, por edhe me partnerë tjerë që japin një kontribut të çmuar në këtë drejtim. Përveç trashëgimisë, ministri Shala ka vlerësuar lart ndihmën që Ambasada Amerikane i ka dhënë edhe sportit në Kosovë.

Nga ana e saj, ambasadorja Jacobson uroi ministrin Shala për detyrën e re. Ajo i dëshiroi ministrit mbarëvajtje dhe arritje në punën që do bëjë në të ardhmen. Jacobson u shpreh se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vazhdojnë të jenë përkrah Kosovës edhe në të ardhmen. Ajo rikonfirmoi se mbështetja e ambasadës në projekte konkrete do të vazhdojë edhe në të ardhmen.

Prapa