Ministri Shala merr detyrën e udhëheqjes së MKRS-së

12.12.2014

Memli Krasniqi ia ka dorëzuar sot detyrën e ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, z. Kujtim Shala.

Krasniqi e ka uruar ministrin e ri Shala për marrjen e detyrës dhe i ka dëshiruar mbarëvajtje të punës, arritje të objektivave dhe realizim me sukses të projekteve në kuadër të periudhës që ai do të udhëheqë me MKRS-në.

Ai e ka informuar ministrin Shala për të arriturat gjatë këtyre katër viteve si dhe me sfidat që është përballur ai gjatë kësaj periudhe.

Krasniqi ka përmendur progresin në kulturë, me rritjen e përkrahjes për organizimet kulturore në vend, mbështetjen e institucioneve vartëse të MKRS-së, mbështetjen e festivaleve dhe organizimeve tjera kulturore, ku secilin vit, buxheti për kulturë vazhdimisht është rritur.

Po ashtu, ai i përmendi rezultatet në promovimin e skenës kulturore të Kosovës duke veçuar pjesëmarrjen në ngjarjet më të rëndësishme të kulturës në botë.

Krasniqi ka theksuar se ka pasur arritje të mëdha në sport, me pranimin e shumë federatave të Kosovës në kuadër të federatave përkatëse evropiane e botërore duke kulmuar me pranimin e Komitetit Olimpik të Kosovës si anëtar me të drejta të plota në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar. Gjithashtu ai përmendi përmirësimin e infrastrukturës sportive ndonëse mbetet ende sfidë. Ai theksoi se përkrahja financiare për federatat sportive është rritur në vazhdimësi. Pastaj, ai ka përmendur edhe rregullimin e legjislacionit, ku janë nxjerrë akte ligjore e nënligjore për shpërblimin e sportistëve kulmorë dhe përkrahja e talenteve të rinj përmes bursave për shpresat olimpike dhe paraolimpike.

Edhe në sektorin e rinisë, është shprehur ish-ministri, është punuar dhe janë realizuar të arritura qoftë përmes përkrahjes së të rinjve me grante si dhe edukimit profesional të tyre në fusha të ndërmarrësisë dhe zhvillimit të biznesit me ndihmën dhe përkrahjen edhe të partnerëve.

Në kuadër të trashëgimisë, MKRS-ja ka bërë identifikimin e objekteve dhe lokaliteteve të trashëgimisë dhe futjen e tyre në listë të mbrojtjes, është bërë konservimi dhe restaurimi i objekteve në bazë të rekomandimeve të ekspertëve, është finalizuar projekti i Databazës së Trashëgimisë Kulturore. Gjatë mandatit të kaluar, ish-ministri Krasniqi theksoi se kanë mbështetur Institutin Arkeologjik për gërmime ku janë zbuluar lokalitete të reja arkeologjike , si ai i Dresnikut, zbulime të reja në Ulpianë, Novobërdë.

Krasniqi po ashtu ka përmendur sfidat dhe gjërat që s’kanë mundur të finalizohen sikurse strategjia për kulturën, kategorizimi i federatave sportive, që janë në proces por që do të jenë detyrë për mandatin e ri.

Ndërkaq, ministri i ri Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, u shpreh i kënaqur për punën e deritanishme që është bërë në MKRS, duke theksuar se ai do të përkushtohet që të punohet në avancimin e performancës dhe realizimin e projekteve të rëndësishme në kulturë, sport, trashëgimi kulturore dhe rini.

Shala ka thënë se do të angazhohet që objektivat e MKRS-së të arrihen plotësisht dhe premtoi se do të punojë në rritjen e bashkëpunimit edhe me partnerët vendorë e ndërkombëtarë në promovimin dhe përmirësimin e resorëve që mbulon ministria.

Prapa