Ministri Krasniqi takoi Tony OBrien, drejtor për Ballkanin Perëndimor në Këshillin Britanik
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi takoi sot Drejtorin për Ballkanin Perëndimor në Këshillin Britanik, zotin Tony OBrien si dhe drejtoreshën e Këshillit Britanik për Kosovë, Arjeta Emrën. Në këtë takim u bisedua për bashkëpunimin mes MKRS-së dhe Këshillit Britanik në promovimin e kulturës dhe vendit në përgjithësi.
Ministri Krasniqi vlerësoi se Këshilli Britanik është një nga mbështetësit kryesor të Kosovës e që ka luajtur dhe po luan rol shumë të rëndësishëm në promovimin e kulturës sonë dhe vendit në përgjithësi.
Ai tha se deri më tani në bashkëpunim me Këshillin Britanik janë realizuar projekte mjaftë të rëndësishme e që kanë ndikuar shumë në promovimin e vendit.
Unë dua të falënderoj Këshillin Britanik në Kosovë në veçanti për mbështetjen që i ka dhënë MKRS-së në organizimin e Sesionit të 13-të të Parlamentit Kulturor Evropian në Prishtinë, që ka qenë një nga ngjarjet më të rëndësishme të kulturës në vend, tha ministri Krasniqi, duke shtuar se MKRS-ja mbetet e përkushtuar thellësisht që të vazhdojë bashkëpunimin me Këshillin Britanik edhe në nisma të tjera të rëndësishme.
Nga ana e tij, drejtori Tony OBrien falënderoi ministrin për pritjen dhe e përgëzoi për angazhimin e lartë në mbështetje të skenës kulturore të Kosovës si në zhvillim të saj ashtu edhe në promovim në ngjarjet me të rëndësishme të kulturës në botë. Ai theksoi se Këshilli Britanik do të vazhdojë të mbështesë Kosovën edhe më tutje në shumë sfera e me theks të veçantë në kulturë.