Rreth 200 të rinj u trajnuan për menaxhim të bizneseve

25.11.2014

Rreth 200 të rinj u certifikuan sot në fushën e hartimit të planit të biznesit nga projekti për ndërmarrësi i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Projekti që është përkrahur nga MKRS-ja e që u implementua nga organizatat Institute for Management and Development – IMD dhe Institute for Training and Economic Development – ITED ka pasur për qëllim trajnimin profesional të të rinjve në tetë rajonet e Kosovës, Prishtinë, Ferizaj, Prizren, Gjakove, Pejë, Mitrovicë, Gjilan dhe Ranillug. MKRS përpos kësaj do të dhurojë edhe grante për të nxitur zhvillimin e ndërmarrësisë tek të rinjtë dhe gjenerimin e vendeve të reja të punës.
 
Ministri Memli Krasniqi u shpreh i gëzuar që edhe 200 të rinj i janë bashkuar grupit të madh të të certifikuarve që janë trajnuar përmes projekteve të mëhershme që i ka organizuar dhe realizuar MKRS-ja. Ai uroi të rinjtë për trajnimin që kanë marrë dhe e cilësoi si një edukim të gjeneratave të reja dhe për katër vite konsideroi se është ndryshuar koncepti i të vepruarit dhe punuarit për rininë.
 
“Meqë tashmë ju jeni certifikuar ju ftoj që sapo të kemi përfunduar këtë takim të uleni dhe përgatisni planet e biznesit dhe të aplikoni në konkursin e MKRS-së për ndërmarrësit e rinj, që është i hapur deri më 5 dhjetor”, tha ministri, duke i porositur të trajnuarit që certifikatat mos t’i mbajnë vetëm si pasurim për CV-të e tyre por t’i shfrytëzojnë në praktikë dijet që kanë fituar.
 
Ministri po ashtu përmendi investimet dhe grantet që janë ndarë për rininë dhe për bizneset që kanë ata, ndërtimin e qendrave rinore në qytete të ndryshme në Kosovë, si dhe bashkëpunimin dhe përkrahjen e partnerëve për fushën e rinisë.
 
“Janë rreth 300 të rinj tashmë që kanë përfituar nga grantet që MKRS-ja dhe partnerët e saj kanë ndarë për ndërmarrësit e rinj. Po ashtu, janë mbi 300 të rinj që kanë pasur mundësinë që të kenë një punë praktike në institucione, organizata dhe kompani të ndryshme”, tha ai.
 
Po ashtu ministri përmendi se punësimi do të jetë aspekti kryesor i angazhimit dhe punës së Qeverisë së Kosovës në mandatin e ardhshëm, ku theksoi se MKRS-së do t’i rriten fondet për përkrahjen e ideve afariste të të rinjve dhe edukimit profesional të tyre.
 
Ndërkaq, Ermira Kastrati e Agron Gashi, dy prej të certifikuarve në këtë projekt u shprehën të kënaqur që janë përzgjedhur për këtë trajnim ngase e konsideruan si investim jo vetëm për veten e tyre por edhe për të ardhmen e vendit.
 
Më shumë se 1500 të rinj në katër vitet e fundit kanë përfituar në forma të ndryshme konkrete nga MKRS-ja dhe partnerët e saj si dhe më shumë se 800 të rinj janë trajnuar në fusha të ndryshme profesionale.
 

Prapa