Ministri Krasniqi dhe kryetari i FBK-së diskutojnë për krijimin e një qendre të basketbollit për grupmoshat e reja

18.11.2014

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi ka pritur në një takim drejtuesit e Federatës së Basketbollit të Kosovës, të kryesuar nga kryetari Erolld Belegu.

Në këtë takim është diskutuar për zhvillimet e deritanishme në basketboll si brenda ashtu edhe në procesin e ndërkombëtarizimit. U vlerësua se me njohjen e Komitetit Olimpik të Kosovës në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar janë krijuar rrethana të reja dhe më lehtësuese edhe për ndërkombëtarizmin e basketbollit, por edhe sporteve të tjera.

Ministri Krasniqi përgëzoi federatën për angazhimet e mëdha që ka pasur në shumë drejtime si në zhvillimin e garave brenda Kosovës ashtu edhe në ndërkombëtarizim. Ai tha se MKRS-ja dhe do të vazhdojë të angazhohet edhe me shumë në proces të lobimit, gjithnjë në koordinim me FBK-në.

Në takim me theks të veçantë u diskutua për planet për vitin e ardhshëm që ka FBK-ja. Në këtë aspekt u diskutua për hapjen e një qendre të basketbollit për grupmoshat e reja. Kryetari Belegu ka treguar në detaje planin e tyre për këtë qendër duke e vlerësuar si një hap tejet të rëndësishëm për promovimin e talenteve, paraqitje më të mirë në arenën ndërkombëtare dhe masivizim të sportit.

Ministri Krasniqi e vlerësoi lartë këtë projekt. Ai tha se MKRS-ja tash e katër vjet ka në prioritet zhvillimin e sportit tek grupmoshat e reja dhe për këtë, tha ai, i ka dhënë rëndësi sportit shkollor. Ministri Krasniqi tha se MKRS-ja do të japë mbështetje për krijimin dhe funksionimin e kësaj qendre.

Në takim gjithashtu u fol edhe për projektin tashmë të finalizuar, që është hartimi dhe botimi i Kodit të Mirësjelljes në basketboll, të cilin e ka mbështetur MKRS-ja. Ky kod do të prezantohet në ditët në vazhdim dhe është dokumenti i rëndësishëm për të gjithë akterët e përfshirë në basketboll, si zyrtarët, lojtarët, gjyqtarët dhe tifozët.
 

Prapa