Restaurohet Kalaja e Vushtrrisë

04.11.2014

Qyteti i Vushtrrisë ka tashmë të rivitalizuar dhe konservuar lokalitetin arkeologjik dhe arkitektonik që ndodhet në qendër të qytetit, Kalanë e Vushtrrisë. Për përfundimin e restaurimeve në një ceremoni përuruese kanë marrë pjesë Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), Veton Firzi, Ambasadorja e SHBA-së në Prishtinë, Tracey Jacobson, Kryetari i Vushtrrisë, Bajram Mulaku dhe Drejtori i CHwB-së, Sali Shoshi.
 
Investimet janë realizuar fillimisht nga MKRS-ja me 110 mijë euro dhe më pas nga Ambasada e SHBA-së në Kosovë me 350 mijë euro. Projekti restaurues është implementuar nga Trashëgimia Kulturore pa Kufij (CHwB), për një periudhë dy vjeçare.
 
Sekretari i Përgjithshëm, Firzi, me këtë rast vlerësoi se Kalaja e Vushtrrisë është konsideruar gjithnjë me prioritet nga ana e MKRS-së ku edhe ka falënderuar edhe partnerët për ndihmën në kuadër të ruajtjes dhe promovimit të trashëgimisë kulturore.
 
“Kalaja e Vushtrrisë është një nga monumentet me vlera të veçanta dhe për këtë vazhdon të mbetet lartë në listën e prioriteteve të ministrisë sonë. Jemi duke shqyrtuar mundësinë e shfrytëzimit të saj si atraksion e cila do të mundësonte dhe mirëmbajtjen e rregullt të saj”, tha ai.
 
Ndër të tjera, ai falënderoi partnerët për mbështetjen e tyre, ambasadën e SHBA-së në Kosovë, për investimin në Kalanë e Vushtrrisë e të Prizrenit si dhe Komisionin Evropian për mbështetjen përmes fondit IPA që do të investohet në Kalanë e Novobërdës/Artanës.
 
Ndërsa Ambasadorja e SHBA-së, Jacobson, shprehu se ky është një projekt i mrekullueshëm restaurues në kuadër të trashëgimisë kulturore të Kosovës. “Unë isha këtu ndoshta para një viti e gjysmë, dhe tani pamja është tërësisht ndryshe”, tha Jacobson duke theksuar se tani është krijuar një hapësirë të cilën publiku mund ta përdorë përsëri, duke përmendur edhe investimet në Hamamin e këtij qyteti.
 
Ndërkaq kryetari i Vushtrrisë, Bajram Mulaku vlerësoi investimin dhe projektin në restaurimin e Kalasë së Vushtrrisë. “Me restaurimin por edhe me funksionalizimin e këtij objekti por edhe të Hamamit, Vushtrria po merr një qasje të re në zhvillim të kulturës por edhe të turizmit”, tha Mulaku.
 
Kurse Sali Shoshi, tha se CHwB-ja ka ndjekur parimin e konservimit të atyre pjesëve që kanë mbetur nga Kalaja, pastaj të krijohet një hapësirë publike si dhe është bërë shtimi i funksioneve që i nevojiten publikut ku është bërë edhe adaptimi i kullës për ta shfrytëzuar për galeri ekspozuese.
 
Kalaja, e cila është ndërtuar në shekullin 7, gjatë epokës bizantine, konsiderohet një prej vlerave të veçanta të trashëgimisë sonë kulturore që i ka mbijetuar periudhave të ndryshme. Ky objekt është në listën e prioriteteve të MKRS-së dhe është nën mbrojtje.

Prapa