Kosova në konferencën rajonale “Rehabilitimi i Trashëgimisë Kulturore si Çelës i Zhvillimit të Qëndrueshëm”

27.10.2014

Kosova po prezantohet në Konferencën e Nivelit të Larë me temën “Rehabilitimi i Trashëgimisë Kulturore si Çelës i Zhvillimit të Qëndrueshëm” në kuadër të Procesi të Lubljanës, faza II.

Takimi po mbahet në Dubrovnik të Kroacisë dhe është duke u diskutuar për rehabilitimin e Trashëgimisë Kulturore si një faktor kyç për zhvillim të qëndrueshëm. Kosova po përfaqësohet në këtë ngjarje nga Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Veton Firzi dhe Burim Maraj, Këshilltar i Ministrit të MKRS-së.

Sekretari Firzi u shpreh se Kosova e trajton me prioritet trashëgiminë kulturore, si një aset të promovimit të diversitetit dhe vlerave të mirëfillta. Ai tha se takimet dhe iniciativat rajonale në fushën e trashëgimisë kulturore por edhe të kulturës janë mjaftë të rëndësishëm për Kosovën, pasi e ndihmojnë atë të zhvillojë kapacitetet menaxhuese duke marrë praktikat me të mira.

“Dëshiroj të theksoj se takimet e këtij niveli janë shumë të rëndësishme dhe na kujtojnë gjithmonë se, ndonëse si shtete të veçanta, ne kemi shumëçka që na bashkon e rreth së cilës mund të punojmë bashkë. Bashkëpunimi ndërshtetëror është edhe fryma e Procesit të Lubljanës por edhe e vet Bashkimit Evropian”, ka thënë ai .

Ai përsëriti edhe një herë kërkesën që Kosova të bëhet anëtare e Këshillit të Ministrave të Kulturës të Evropës Juglindore.

“Kosova këtë vit nuk u ftua  në takimin e Këshillit të Ministrave të Kulturës të Evropës Juglindore që u mbajt në Maqedoni. Në vitin 2013 ne u ftuam si vëzhgues në Slloveni. Mospjesëmarrja e Kosovës në këtë takim, për shkak të mungesës së ftesës, nuk i kontribuon parimeve të bashkëpunimit rajonal, që është parim i Procesit të Lubljanes, CoMoCoSEE dhe takimeve të tjera rajonale”, tha ai.

Firzi shtoi se MKRS-ja ka dyfishuar buxhetin në shumë fusha të trashëgimisë, si në arkeologji ku edhe janë bërë zbulime të reja shumë të rëndësishme, në restaurimin e monumenteve të trashëgimisë kulturore, krijimin e databazës së trashëgimisë kulturore si dhe në ngritjen e kapaciteteve profesionale për menaxhimin e trashëgimisë kulturore.

Ai mes tjerash ka përmendur edhe bashkëpunimin me partnerët vendorë e ndërkombëtarë në Kosovë në lidhje me trashëgiminë kulturore, si një element mjaftë i rëndësishëm në arritjen e qëllimeve dhe zbatimin e politikave për mbrojtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore.

Në Dubrovnik, po marrin pjesë përfaqësues të ministrive të kulturës nga të gjitha vendet e Evropës Juglindore, duke dhënë kontributin dhe duke ndarë përvojën e vendeve të tyre në kuadër të bashkëpunimit regjional në fushën e trashëgimisë kulturore.
 

Prapa