Deklaratë e Ministrit Krasniqi për vendimin e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar për Kosovën

22.10.2014

Sot është një ditë vërtetë historike për Kosovën. Komiteti Olimpik Ndërkombëtar ka njohur Komitetin Olimpik të Kosovës me status të përkohshëm dhe ka rekomanduar që kjo njohje të bëhet e plotë në Sesionin e ardhshëm të KON në Dhjetor të këtij viti.

Me këtë thyhet izolimi i padrejtë që iu bë sportistëve tanë për më shumë se 20 vjet. Është një moment i veçantë dhe që shënon një epokë të re për sportin e Kosovës. Nga sot ne do të mendojmë vetëm për punë dhe suksese.

Dëshiroj të falënderoj Presidentin e Komitetit Olimpik të Kosovës, z. Besim Hasani, krerët e federatave sportive në Kosovë, e në veçanti sportistët tanë që treguan një pasion, durim dhe përkushtim të pashoq për të treguar vlerat e mirëfillta, talentin e tyre dhe për të përfaqësuar Kosovën në garat ndërkombëtare, në veçanti në Lojërat Olimpike.

Në veçanti i falënderoj xhudisten Majlinda Kelmendi dhe trajnerin Dritona Kuka që me sukseset e tyre i dhanë një dimension të ri përpjekjeve tona për anëtarësim të plotë në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar. Njohja e sotme do të ndihmojë shumë edhe federatat e tjera sportive të Kosovës në angazhimet e tyre për pranim ndërkombëtar.

Ka qenë një rrugëtim i vështirë dhe i gjatë. Ky sukses është rezultat i përpjekjeve të pamohueshme të gjeneratave të tëra, e në veçanti të atyre që punuan më përkushtim në kohë shumë më të vështira.

Në muajin dhjetor në presim që Sesioni i Jashtëzakonshëm i KON-it të marrë vendimin për njohje të plotë të KOK. Dua të shpreh mirënjohje të thellë edhe për Presidentin e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, z.Thomas Bach, me të cilin jam takuar disa herë në këto tri vitet e fundit, dhe i cili ka treguar një vullnet të jashtëzakonshme që të na ndihmojë në realizimin e së drejtës sonë dhe ëndrrës së sportistëve tanë për të qenë të barabartë me sportistët nga e gjithë bota.

Në fund dua të shpreh përkushtimin me të lartë të Qeverisë së Republikës së Kosovës për mbështetje të sportistëve, dhe në veçanti për Komitetin Olimpik, në mënyrë që të përfaqësohemi denjësisht në Lojërat Olimpike Rio 2016 dhe më tej.

Tani, na mbetet të vazhdojmë punën tonë, me besim se pas dy medaljeve të arat botërore të arrijmë edhe medaljen olimpike.
 

Prapa