Kosova po hyn në një kontekst të ri në raportet kulturore ne Evropën

03.10.2014

Mbajtja e Sesionit të 13-të të Parlamentit Kulturor Evropian në Kosovë është një dëshmi e rivendosjes së komunikimit dhe të bashkëpunimit në sferën e kulturës mes Kosovës dhe Evropës.

Kështu tha sot Kryeministri i Kosovë, Hashim Thaçi në hapjen e sesionit të 13-të të ECP-së në Prishtinë. Në hapje kanë folur edhe Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi, Sekretari i Përgjithshëm i ECP-së, Karl Erik Norman, zëvendësministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Petrit Selimi si dhe Par Stenback, kryetar i Senatit të ECP-së.

Në hapje të sesionit kanë marrë pjesë rreth 100 personalitete të kulturës nga Evropa si dhe dhjetëra artistë nga Kosova.

Kryeministri Thaçi tha se artistët në Kosovë edhe në kohërat më të vështira kanë treguar pasionin për të krijuar vlera. Ai tha se pikërisht për historinë e saj, idealin, diversitetin dhe vlerat e mirëfillta Kosova është vendi ideal që ky sesion të mbahet. Kryeministri tha se në Kosovë kultura tashmë ka marrë një dimension të ri dhe foli për përkrahjen që shteti i jep skenës kulturore në përgjithësi.

“Kultura dhe arti sot trajtohen nga politika si një nga kushtet për zhvillimin e shoqërisë. Prandaj, vëmendje e posaçme është vënë në politikat për kulturën dhe artin, duke filluar nga dyfishimi i fondeve për kulturën e artin e deri te përkrahja për pavarësimin dhe qëndrueshmërinë e artit dhe kulturës por edhe mbrojtjen me ligj të punës së artistëve dhe të profesionistëve të kulturës. Kosova është kthyer në një prodhues kualitativ por edhe në një konsumues të pasionuar e të etur të artit e të kulturës duke sjellë kështu prezantime e bashkëpunime të rëndësishme të artistëve të vendit me kolegët e tyre nga rajoni e më gjerë”, shtoi ai.

Ministri Memli Krasniqi në fjalën e tij falënderoi Parlamentin Kulturor Evropian që i ka besuar Kosovës për organizimin e sesionit të ECP-së, si dhe Këshillit Britanik në Kosovë që ka treguar bashkëpunim të plotë në bashkëorganizim. Ai tha se për kulturën në Kosovë kjo ngjarje është shumë e rëndësishme.

“Kosova është një vend i vogël por ka shumë të ofrojë. Viteve të fundit, veçanërisht në 15 vitet e fundit pas lirisë së Kosovës, jemi përballë me sfida të shumta. Si vend në përgjithësi, si dhe artistët në veçanti janë përpjekur shumë të krijojnë një situatë të re, një mjedis të ri ku shprehja artistike e kulturore nuk është vetëm ëndërr”, tha ai.

Ministri shtoi se në Kosovë ka qindra aktivitete dhe çdo vit skena kulturore e Kosovës po përmirësohet.

“Me krijimin e një konteksti të ri dhe shkëmbimin e përvojave gjatë këtyre ditëve të këtij sesioni të Parlamentit Kulturor Evropian, do të krijohen marrëdhënie afatgjata do të krijohen dhe do të luajnë një rol të posaçëm në skenën kulturore evropiane”, theksoi ministri.

Sekretari i ECP-së, Karl Erik Norman foli për agjendën e sesionit treditësh, ku përmendi pikat kyçe të saj, si diplomacinë kulturore, ku kultura të jetë në vijën e parë të frontit në mënyrë që të arrihet njohja e Evropës, njohja e pjesës tjetër të botës. Ai theksoi se në këtë sesion të Prishtinës, do të flitet edhe për çështje të ‘nxehta’ dhe vështira, sikurse janë populizmi dhe ekstremizmi, pastaj do të diskutohet edhe për krizën e Ukrainës dhe efektet që mund të ketë për Evropën, do të diskutohet edhe për raportet artist-shoqëri, dhe çfarë duhet të dinë për njëri-tjetrin. Norman vuri në pah se ECP-ja, është parlament i vlerave, jo vetëm përmes çështjeve të demokracisë dhe të drejtave të njeriut, por edhe për barazinë gjinore, rrjetet rinore.

Ai tha se për ta ky është një sesion tejet i veçantë. “Jemi të lumtur që jemi këtu në vendin tuaj, i cili ka vuajtur shumë gjatë viteve, por ka qenë i guximshëm. Jemi shumë të lumtur që këtu e simbolizojmë pikërisht atë që ne mendojmë se shpirtërorja është më e rëndësishme se mekanikja, kur kemi të bëjmë për të ardhmen evropiane”.

Ndërkaq, zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Petrit Selimi, në fjalën e tij përmendi imazhin në të cilin e shohin të huajt Kosovën, dhe ky sesion është një mundësi e mirë për të parë pamjen e vërtetë të Kosovës si një vend i drejtuar kah perspektiva evropiane. Ai bëri një krahasim në atë se çfarë thuhet për Kosovën jashtë, sikurse Breivik në pamfletin e tij, dhe emrat sikurse Rita Ora, Nëna Terezë, Rene Rexhepi që kanë qenë shqiptarë, duke demantuar kësisoj mosreflektimin real për Kosovën jashtë saj.

“Ka imazhe paragjykimi për Kosovën, se çfarë Kosova është, dromca imazhesh lufte, refugjatë, copëza lajmesh për islamin radikal, përplasjen e qytetërimeve, dhe për këtë arsye për Kosovën, Qeverinë, diplomacia kulturore nuk është vetëm një departament, apo vijë buxhetore, por është tipari fondamental i drejtimit tonë në botë”, tha Selimi.

Ai gjithashtu tha se kultura është përshpejtuesi më i mirë në ndërtimin e vendit tonë si dhe në rrugëtimin tonë si vend drejt Evropës, teksa ka përmendur se kemi pasur një luftë, kemi pasur refugjatë por jemi kthyer dhe tani po mundohemi me besimin se ne mund dhe do të rindërtojmë shtetin tonë, ku përmendi se jemi një popull i ri jo vetëm për nga data e shpalljes si shtet, por edhe me popullsinë e re që ka Kosova.

“Jemi një popull tipik modern i përzier me identitete, me shtresime etnike, fetare e identitete historike”, tha zëvendësministri i jashtëm.

Ai porositi anëtarët e ECP-së që përvojën e mirë që marrin këtu në Kosovë, ta ndajnë në vendet e tyre dhe të kontribuojnë që Kosova të ketë një imazh tjetër në Evropë e Botë, duke e përshpejtuar kësisoj rrugëtimin e Kosovës drejt Evropës, që kosovarët të udhëtojnë lirshëm pa viza në bashkësinë evropiane.

Sesioni i ECP-së do të vazhdojë punimet deri të dielën. Përveç diskutimeve, punëtorive, do të ketë edhe aktivitete të tjera kulturore, vizita në qytete të ndryshme takime me artistë nga Kosova, etj. 

Prapa