Sesioni i ECP-së në Prishtinë ngjarje që tregon përkushtimin e Kosovës për kulturën

02.10.2014

Kosova në këto vjet ka ndjekur rrugën më të mirë në kulturë, duke përdorur diplomacinë kulturore për promovimin e vendit. Kështu tha sot Sekretari i Përgjithshëm i Parlamentit Kulturore Evropian (ECP), Karl Erik Norman në një konferencë për shtyp të mbajtur në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, bashkë me Ministrin Memli Krasniqi, drejtoreshën e përgjithshme dhe artistike të Operës në Norvegji, Ove Joansson, senator i ECP-së, si dhe Arjeta Emren, drejtoreshë e Këshillit Britanik në Kosovë.

Sesioni i 13-të i ECP-së ka nisur sonte në Galerinë Kombëtare të Kosovës dhe do të zgjasë deri më 5 tetor. Në të do të marrin pjesë rreth 100 personalitete të kulturës nga Evropa si dhe artistë të Kosovës.

Ministri Krasniqi tha se ndjehet mjaftë i lumtur që një punë e nisur më herët po realizohet dhe shtoi se mbajtja e Sesionit të ECP-së në Prishtinë përben një zhvillim shumë të rëndësishëm në afirmimin e vlerave artistike të vendit. Ai ka falënderuar Parlamentin Kulturor Evropian për bashkëpunimin, si dhe Këshillin Britanik në Kosovë për gatishmërinë që të jetë bashkorganizator i këtij sesioni.

“Nesër është një moment shumë i rëndësishëm dhe ne kemi punuar gjatë për këtë. Sesioni ka një program shumë të mirë, me tema mjaftë interesante dhe gjithëpërfshirëse. Përveç anëtarëve të ECP-së në këtë sesion ne kemi ftuar edhe dhjetëra artistë të Kosovës”, tha ministri Krasniqi. Ai njoftoi se në ECP ka dërguar propozimin e tij që anëtarë të rinj nga Kosova në këtë organizatë të jenë edhe dramaturgu Jeton Neziraj dhe regjisori Fatos Berisha.

Sekretari i Përgjithshëm i ECP-së, Karl Erik Norman tha se është një moment i veçantë për të dhe të gjithë anëtarët e ECP-së që po vijnë në Kosovë. Ai falënderoi ministrin Krasniqi për bashkëpunimin dhe vlerësoi lartë punën që është bërë në kulturë.

“Jemi të lumtur që jemi në këtë pjesë të botës, me një histori interesante. Dua të them se është e shumë e rëndësishëm që Qeveria e Kosovës e ka hapur për kulturën dhe ECP-së. Unë ligjëroj në Berlin diplomacinë kulturore dhe ajo çfarë po bëni ju është thjeshtë përfekte, në rrugën më të mirë”, ka thënë ai.

Arjeta Emra, drejtoreshë e Këshillit Britanik në Kosovë tha se kjo është një nga ngjarjet më të rëndësishme për promovimin e vlerave të Kosovës.

“Janë tri aspekte që duhet të përmend. Dua ta falënderoj ministrin për besimin në bashkëorganizim të sesionit të 13-të. Është bërë punë dy vjeçare e Ministrit Krasniqi që kjo punë të bëhet në Kosovë sepse këto gjëra nuk janë të lehta, sepse duhet gatishmëri shumë e lartë. Duhet të theksohet po ashtu se Kosova është vendi i parë në këtë pjesë të Evropës që organizohet një sesion”, ka shtuar ajo.

Merry Miller, drejtoreshë e Operës së Norvegjisë tha se për të është një përvojë mjaftë e mirë pjesëmarrja në Sesionin e ECP-së në Prishtinë.

“Është privilegj të vijë këtu. Në një vend të vogël me vetëdije të lartë dhe kulture të lartë. Përshtypja e parë është se pashë një sens fantastik për shpresën dhe kur keni shpresën do të keni një të ardhme pozitive”, tha ajo.

Ndërkaq Ove Joansson, senator i ECP-së shtoi se Kosova ka bërë hapa të rëndësishëm në përafrimin e politikave integruese në Bashkimin Evropian, dhe këtu përmendi kulturën si një aspekt të rëndësishëm.

“Është me rëndësi të koncentroheni në vlera dhe jo shumë në aspekte teknike, sepse vlerat janë ato që e përbejnë Evropën”, deklaroi ai.

Para Prishtinës ECP ka mbajtur sesione në 12 kryeqytete të botës. ECP konsiderohet një prej organizatave më të mëdha të njerëzve të kulturës në Evropë por edhe nga vende të tjera. 

Prapa