Palestër Sportive moderne edhe në Drenas

26.09.2014

Të rinjtë, e në veçanti sportistët e Komunës së Drenasit, tash e tutje do të kenë kushte moderne për zhvillimin e garave në shumë sporte. Sot u bë edhe hapja zyrtare e Palestrës Sportive, investim mbi 1 milionë euro nga MKRS-ja.

Në hapjen zyrtare ishte i pranishëm Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi, kryetari i Komunës, Nexhat Demaku, kryetari i Federatës së Hendbollit të Kosovës, Eugen Saraçini, si dhe sportistë e qytetarë nga Drenasi.

Me këtë rast është zhvilluar edhe ndeshja në Superligën e Hendbollit, mes Drenicës kundër Vëllaznimit, që është edhe ndeshja e parë zyrtare në këtë palestër.

Ministri Krasniqi tha se palestra në Drenas do të jetë një nga hapësirat më të rëndësishme për sportistët dhe të rinjtë. Ai shtoi se gradualisht çdo komunë në Kosovë po e kompleton infrastrukturën e nevojshme për gara sportive. Kjo, tha ai, ka qenë vizion i MKRS-së.

“Ne kemi investuar në shumë dimensione në Drenas, në poligone shkollore sportive, renovim të stadiumit të futbollit, tash e përfunduam këtë palestër dhe shumë shpejt do të jetë i gatshëm edhe stadiumi ndihmës i futbollit, i ndërtuar sipas standardëve me të larta ndërkombëtare. Unë ju uroj që këtu të keni sa më shumë gara, sa më shumë sport, për t’i dhënë Kosovës sportistë që e përfaqësojnë në të ardhmen në gara ndërkombëtare. Kjo palestër dhe çdo infrastrukturë tjetër sportive është shumë e rëndësishme për ju dhe ju ftoj që t’i ruani sa më mirë ato”, ka thënë ministri Krasniqi.

Ndërkaq, kryetari i Komunës së Drenasit, Nexhat Demaku ka falënderuar MKRS-në për investimet e shumta që ka bërë në sport në Komunën e Drenasit. Ai tha se këto janë shumë të rëndësishme për të rinjtë. Demaku premtoi se komuna do të rrisë përkrahjen për sportin, si një nga segmentet e rëndësishme për zhvillimin e shoqërisë në përgjithësi.

E kryetari i FHK-së, Eugen Saraçini vlerësoi lartë angazhimin e MKRS-së në përmirësimin e infrastrukturës sportive, për çka tha ai, po ndihmon shumë në zhvillimin e sportit.
 

Prapa