Engjell Berisha, laureat i Çmimit Kombëtar për Vepër Jetësore ‘Niketë Dardani’

17.09.2014

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi ia ka ndarë sot solemnisht Çmimin Kombëtar për Vepër Jetësore “Niketë Dardani” për fushën e muzikës, kompozitorit dhe pedagogut të njohur shqiptar, akademik Engjëll Berisha. Me këtë rast u bë edhe ndarja e çmimeve vjetore në fushën e muzikës, me të cilat u nderuan kompozitorja Dafina Zeqiri për veprën “Kujtoj – poemë simfonike” në kuadër të çmimit “Vepër simfonike – koncertale me kohëzgjatje së paku 20 minuta” dhe kompozitori Kreshnik Aliçkaj me për veprën “Sextet pianistik” në çmimin “vepër kamertale me kohëzgjatje së paku 10 minuta”.

Ministri i Kulturës, Memli Krasniqi, konsideroi se këto çmime janë një vlerësim për punën e njerëzve që japin shumë për kulturën tone. Ai tha se çmimet, në veçanti ato në kategori të tjera janë edhe një stimulim për krijuesit e rinj.
Ministri vlerësoi krijimtarinë e akademik Engjëll Berishës, si dhe përkushtimin e madh të kompozitorëve Zeqiri e Aliqkaj.

“Akademiku, profesori, pedagogu Engjëll Berisha, është një personalitet i shquar i jo vetëm i Kosovës por i kombit shqiptar, i cili përmbi 50 vite përmes krijimtarisë e sidomos punës së tij edukative i ka dhënë shumë skenës dhe muzikës në Kosovë, jo vetëm në shtimin e kuadrove, por edhe të rritjes së vlerave dhe standardeve më të avancuara se në të kaluarën”, tha ministri Krasniqi, duke vlerësuar se me të drejtë dhe me meritë të plotë këtë vit kompozitori Berisha merr Çmimin Kombëtar për Vepër Jetësore “Niketë Dardani”.

Ndërkaq, laureati Engjëll Berisha, foli për Niketë Dardanin, i cili është një emër i vjetër i paraardhësve tonë ilirë dhe ai është ndjerë i nderuar që ka marrë këtë çmim dhe ka falënderuar MKRS-në që e kanë propozuar që çmimi për vepër jetësore ta mbajë emrin e Niketë Dardanit.

“Përpos punës sime, veprave që kam shkruar, është një kënaqësi e veçantë kur i sheh studentët tu që vazhdojnë të krijojnë në ambientin tonë, që nuk ka traditë shumë të lashtë të muzikës artistike. Tradita e madhe është tradita popullore. Të rinjtë kanë talent të kompozojnë muzikën popullore”, tha Berisha, tek e ka falënderuar MKRS-në për mbështetjen që i jep muzikës dhe artistëve në përgjithësi.
Lauretatët e tjerë, Dafina Zeqiri dhe Kreshnik Aliqkaj janë shprehur të nderuar për çmimin dhe kanë thënë se do të vazhdojnë të punojnë në pasurimin e krijimtarisë në muzikën artistike.

Çmimet e ndara në fushën e muzikës janë vlerësuar nga anëtarët e jurisë në përbërje të: Trimor Dhomit, Visar Kuqit dhe Misbah Kaqamakut.

“Ne jemi studentë të tij dhe e dimë se kontributi i tij është i pakrahasueshëm”, ka thënë Dhomi.

Çmimi Kombëtar për Vepër Jetësore ‘Niketë Dardani”, ka vlerën financiare 5 mijë euro, ndërkaq çmimi për veprën më të mirë kamertale 2 mijë euro. E çmimi për veprën më të mirë simfonike- koncertale 3 mijë euro.

Prapa