Një etapë e re për klubet e futbollit në Kosovë

05.09.2014

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi ka pritur sot në një takim delegacionin zyrtar të qytetit të Sivasit të Turqisë dhe krerët e klubit të futbollit Sivasspor, si dhe ish – futbollistin e njohur të Brazilit dhe Real Madridit, Roberto Carlos, tashmë trajner i klubit turk Sivasspor. Carlos do të udhëheq klubin e tij në miqësoren me klubin futbollistik Prishtina, që zhvillohet nesër në Stadiumin e Qytetit në kryeqytet.

Ministri Krasniqi e vlerësoi si një moment tejet të veçantë këtë ndeshje miqësore pasi shënon edhe një etapë të re dhe shënon po ashtu rrugëtimin e parë zyrtar të klubeve tona në arenën ndërkombëtare. Ai tha se kjo ndeshje, që vjen edhe pas ndeshjes që Përfaqësuesja e Kosovës e zhvilloi me Turqinë tregon për miqësinë që kanë dy shtetet, Kosova dhe Turqia.

Ministri deklaroi se Kosova ka bërë hapa të rëndësishëm në sport, por shtoi se ka ende shumë sfida. Ai shprehu përkushtimin e institucioneve që sportin ta kenë gjithmonë në prioritet. Ministri Krasniqi njoftoi ata me investimet që shteti ka bërë në sport në përgjithësi dhe angazhimet për ndërkombëtarizim. Ai theksoi se gjeneratat  reja janë një fokus i veçantë, duke e ditur se përmes kësaj masivizojmë sportin, promovojmë talentet dhe shëndetin po ashtu.

Ministri Krasniqi tha se Roberto Carlos ka qenë dhe mbetet një nga futbollistët e preferuar nga kosovarët dhe madje ka qenë shpesh një model për shumë futbollistë të rinj. Ardhja e futbollistit të njohur Roberto Carlos në Kosovë, dhe e shumë emrave tjerë, tregon për interesimin që futbolli ndërkombëtar për Kosovën dhe për thyerjen e një izolimi të padrejtë.

“Tashmë ne kemi zhvilluar disa ndeshje dhe na presin edhe shumë të tjera dhe përfaqësuesja jonë dhe klubet tona po tregojnë dhe do të tregojnë edhe më shumë cilësitë e tyre në arenën ndërkombëtare, por edhe do të mësojmë më shumë për organizimin e futbollit. Institucionet  e Kosovës, si gjithmonë, do të jenë krah Federatës për arritjen e synimeve të përbashkëta për zhvillimin e futbollit dhe përfshirjen në gara zyrtare”, tha ministri.

Sami Aydın, kryetar i qytetit të Sivasit, që shoqërohej edhe nga personalitete të sportit, ekonomisë dhe fushave tjera falënderoi ministrin për pritjen. Ai shtoi se ky është vetëm një nga hapat e bashkëpunimit në sport mes dy vendeve. Ai premtoi se edhe në fusha të tjera Kosova dhe Turqia do të kenë bashkëpunim. Në cilësinë e kryetarit të qytetit, Aydin tha se do të punojë për thellim të bashkëpunimit mes dy vendeve në fusha të ndryshme. 

Prapa