Për thellim të bashkëpunimit kulturor dhe sportiv ndërmjet Francës dhe Kosovës

29.06.2014

Zëvendësministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Gjergj Dedaj, ka zhvilluar një vizitë në Francë ku ka realizuar takime me zyrtarë dhe përfaqësues francezë dhe ka marrë pjesë në hapjen e Ekspozitës së Galerisë së Artit të Ferizajt në Villa le Grand të Francës.

Zëvendësi Dedaj është shoqëruar edhe nga Tahir Shabani, kryetar i Shoqatës për Bashkëpunim Franko-Shqiptar. Ata janë takuar me përfaqësues të komunës Villa la Grand, me të cilët diskutuan mundësinë e thellimit të bashkëpunimit në fushat që mbulon MKRS-ja.

Në vazhdën e takimeve, zëvendësministri Gjergj Dedaj është takuar edhe me deputeten e Parlamentit të Francës Virginie Duby-Muller, njëherazi anëtare e Komisionit për Kulturë, dhe me Marc Francini, kryetar i qytetit Evian dhe deputet i Parlamentit te Francës. Zëvendësministri i informoi përfaqësuesit francezë me të arriturat dhe sfidat e kulturës dhe sportit në Kosovë dhe vlerësoi se bashkëpunimi mes shteteve të Kosovës dhe Francës duhet të thellohet edhe më shumë përmes shkëmbimit të përvojave mes artistëve dhe sportistëve tanë.

Prapa