KOK-u i ndan ministrit Krasniqi mirënjohje në Ditën Olimpike

24.06.2014

Me rastin e Ditës Olimpike Ndërkombëtare, Besim Hasani, Kryetar i Komitetit Olimpik i ka ndarë mirënjohje Ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi, në emër të Lëvizjes Olimpike në Republikën e Kosovës.

Mirënjohja i është ndarë ministrit Krasniqi me motivacion "për kontributin e jashtëzakonshëm në përhapjen, zhvillimin dhe mbrojtjen e Lëvizjes Olimpike në Republikën e Kosovës".

Ministri Krasniqi gjatë vizitës në selinë e KOK-ut, ua ka uruar Ditën Olimpike Ndërkombëtare të gjithë sportistëve e sportdashësve dhe ka përgëzuar drejtuesit e KOK-ut për punën dhe angazhimin në zhvillimin e sportit në vendin tonë.

Ai po ashtu ka premtuar se bashkëpunimi dhe përkrahja për sportin dhe KOK-un do të vazhdojë edhe në të ardhmen, në investime në infrastrukturë si dhe në mbështetje të masivizimit dhe ndërkombëtarizimit të sportit.

“Ne vazhdimisht kemi ndihmuar Komitetin Olimpik të Kosovës, e sigurisht kjo do të ndodh edhe më tutje. Bashkërisht ne kemi shënuar shumë suksese, por kemi pasur dhe kemi sfida dhe na presin mjaft punë edhe në të ardhmen”, tha ministri.

Nga ana tjetër, Kryetari Hasani, tha se KOK-u i është mirënjohës ministrit dhe stafit të MKRS-së për gatishmërinë për ta ndihmuar dhe bashkëpunuar me Komitetin Olimpik.

“Ne i jemi falënderues ministrit për kontributin e tij që ka dhënë për sportin, me theks të veçantë në rolin që ka luajtur në ndërkombëtarizim të sportit kosovar”, tha Hasani.

Sot, në Ditën Olimpike Ndërkombëtare, u bë edhe prezantimi i dhjetë projekt-propozimeve në formë maketi për objektin e Pallatit Olimpik, një investim i MKRS-së, ku do të vendosen Komiteti Olimpik i Kosovës, Komiteti Paraolimpik i Kosovës si dhe Federatat e Sporteve të Kosovës.

Prapa