Ministri Krasniqi takoi presidentin e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, Tomas Bach

10.04.2014

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi ka takuar sot në Turqi, në kuadër të Konventës së SportAccord, presidentin e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, Tomas Bach. Ministri në këtë takim është shoqëruar edhe nga kreu i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani. Bach ndërkaq shoqërohej nga Pere Miro, drejtor për Komitete olimpike kombëtare në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar.

Ministri Krasniqi dhe kryetari Hasani po ashtu kanë takuar edhe presidentin e SportAccord-it dhe njëherësh president i Federatës Ndërkombëtare të Xhudos, Marius Vizer, si dhe drejtorin e Federatës Ndërkombëtare të Futbollit (FIFA), Walter Gagg.

Në takim me Tomas Bach, ministri Krasniqi ka folur për zhvillimet në sportin e Kosovës në përgjithësi, për të arriturat dhe sfidat në këtë drejtim. Ai përmendi se ka një progres të lartë në vitet e fundit dhe shprehi përkushtimin e Qeverisë së Kosovës që ta ndihmojë avancimin e sportit, gjithnjë të udhëhequr me parimet e Kartës Olimpike. Ministri e uroi zotin Bach për detyrën dhe e përgëzoi për zhvillimet e rëndësishme që kanë ndodhur deri më tash nën udhëheqjen e tij.

“Republika e Kosovës e meriton të jetë pjesë e mekanizmave ndërkombëtar të sportit dhe e barabartë në çdo garë. Këtë të drejtë ia garantojnë edhe parimet olimpike. Ne kemi pritur me durim deri tash dhe kemi pasur një pajtueshmëri që procesin e aplikimit për pranim në Komitet Olimpik Ndërkombëtar ta bëjmë në mënyrë të koordinuar. Besojmë se tash ka ardhur ky moment që Kosova, sportistët tanë të jenë pjesë e familjes olimpike”, ka thënë ministri Krasniqi.

Nga ana tjetër, presidenti i KON-it, Tomas Bach ka pagëzuar ministrin Krasniqin dhe kryetarin Hasani për zhvillimet pozitive në sportin e Kosovës dhe për investimet që po bëhen në avancimin e tij. Ai tha se parimet olimpike vlejnë për gjithë botën, dhe do të vlejnë edhe për Kosovën.

Palët u pajtuan që të kenë komunikim të vazhdueshëm dhe koordinim deri në aplikimin e Kosovës për pranim në KON.

Ndërkaq në takim me presidentin e SportAccord dhe Federatës Ndërkombëtare të Xhudos, Marius Vizer është biseduar për mundësitë e bashkëpunimit edhe në të ardhmen në avancimin e sportit të Kosovës. Ministri Krasniqi e përgëzoi zotin Vizer për punën si president i SportAccord dhe IJF-së. Ministri Krasniqi e njoftoi zotin Vizer për zhvillimet në sportin në Kosovë në përgjithësi, dhe angazhimet që po bën i gjithë komuniteti sportiv bashkë me institucionet shtetërore. Duke vlerësuar ndihmën e madhe që Vizer ka dhënë për sportin e Kosovës, Ministri Krasniqi e njoftoi atë se ka propozuar tek Presidentja e Republikës së Kosovës, që t’i ndahet Medalja Presidenciale e Meritave.

Marius Vizer nga ana e tij e falënderoi ministrin për propozim e dhënë për dekoratë, dhe vlerësoi punën që ministri Krasniqi dhe komuniteti sportiv në Kosovë ka bërë për të zhvilluar sportin dhe avancimin ndërkombëtar të tij.

Ai u zotua për mbështetje të vazhdueshme për ndërkombëtarizim dhe zhvillim të sportit kosovar. Suksesi i Kosovës në xhudo, është dëshmi më e mirë, tha Vizer, se sportistët nga Kosova e meritojnë të jenë pjesë e barabartë e çdo gare ndërkombëtare. Ai për këtë premtoi angazhim dhe bashkëpunim të vazhdueshëm.

Në takim me drejtorin e FIFA-s, Walter Gagg është biseduar për zhvillimet në futbollin e Kosovës. Ministri Krasniqi e falënderoi zotin Gagg për prezencën në ndeshjen e parë miqësore të Kosovës, që u zhvillua me 5 Mars, kundër Haitit. U diskutua edhe për ndeshjet e radhës që Përfaqësuesja e Kosovës do t ‘i zhvillojë me Turqinë dhe Senegalin. Ministri tha se Qeveria është e gatshme që ta ndihmojë, sikur edhe në ndeshjen e parë, FFK-në për një organizim sa më dinjitoz të këtyre ndeshjeve. Në kuadër të angazhimeve të Qeverisë, ministri Memli Krasniqi e njoftoi zotin Gagg me vendimin për ndërtimin e Stadiumit Kombëtar të Kosovës në Prishtinë, me një kapacitet prej 25 deri në 30 mijë ulëse. Ai po ashtu e njoftoi edhe me investimet tjera që Qeveria do të bëjë në renovimin  e stadiumit të Prishtinës.

Ministri tha se Kosova do të koordinohet në vazhdimësi me FIFA-n për ndeshjet miqësore ndërkombëtare, por edhe në proceset e tjera që kanë të bëjnë më zhvillimin e futbollit dhe anëtarësimit të FFK-së në FIFA. Duke vlerësuar ndihmën që FIFA ka dhënë për Kosovë, ministri e njoftoi zotin Gagg se ka propozuar që presidenti Sepp Blatter të dekorohet me Medaljen Presidenciale të Meritave.

Walter Gagg vlerësoi lartë vendimin e Qeverisë së Kosovës për ndërtimin e stadiumit të ri. Ai vlerësoi organizimin e ndeshjes Kosova - Haiti, dhe seriozitetin për organizimin e ndeshjeve të radhës. Gagg tha se FIFA do ta ketë në vëmendje të veçantë Kosovën, ndeshjet miqësore të saja dhe procesin e ndërkombëtarizimit në futboll.

Ministri Krasniqi dhe kryetarit i KOK-ut, Hasani kanë zhvilluar edhe takime me drejtues e përfaqësues të federatave të tjera ndërkombëtare,  olimpike dhe jo olimpike, me qëllim të pranimit të federatave të Kosovës. Në këtë rast vëmendje e veçantë i është kushtuar sportit të gjimnastikës, atletikës dhe notit.

Ky është sesioni i 12-të i konventës më të madhe sportiv, SportAccord. Në kuadër të SportAccord janë të mbledhura federatat më të rëndësishme në botë, olimpike dhe jo olimpike. Në këtë sesion të konventës që po mbahet në Turqi po marrin pjesë rreth 1500 përfaqësues nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar, federata, shoqata sportive, donatorë, e zyrtarë shtetesh.  

Prapa