Ministri Krasniqi takoi përfaqësuesit e shoqatës kulturore “Sofra Gjakovare”

25.03.2014

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi, sot ka pritur në takim përfaqësues të Shoqatës Kulturore “Sofra Gjakovare” nga Shkupi, të kryesuar nga kryetari i kësaj shoqate, Baki Maliqi.

Ministri Krasniqi ka përgëzuar përfaqësuesit e shoqatës “Sofra Gjakovare” për punën që kanë bërë deri tash në afirmimin e kulturës dhe thëllimin e bashkëpunimit me institucione kulturore në Kosovë. Ai i informoi ata për aktivitetet dhe punën që ka bërë MKRS-ja në fushën e kulturës, ku veçoi arritjen e objektivit të nënshkrimit të kalendarit të përbashkët kulturor mes Kosovës dhe Shqipërisë.

Gjithashtu, ministri Krasniqi informoi mysafirët se përkrahja për kulturën është rritur vazhdimisht, me dyfishimin e buxhetit për kulturë në krahasim me të kaluarën.

Ndërkaq, kryetari i shoqatës shkupjane, Baki Maliqi ka falënderuar ministrin për pritjen. Ai e informoi ministrin për historikun e shoqatës dhe të organizimit kulturor të shqiptarëve të Shkupit qysh nga koha e pasluftës së Dytë Botërore.

Po ashtu, Maliqi, tregoi për planet dhe projektet kulturore e artistike që kanë realizuar për gjashtë muaj prej sa janë krijuar si shoqatë. Ndër planet e tyre, tha Maliqi, është zgjerimi me aktivitete edhe në Kosovë.

Në takim u propozua që të shihen mundësitë e koordinimit që për vitet e ardhshme aktivitete të Shoqatës Kulturore “Sofra Gjakovare” të përfshihen edhe në kalendarin e përbashkët kulturor.
 

Prapa

KOSOVO IN UNESCO