Arkitekti i njohur botëror, Ron Arad, Këshilltar Special i Pavijonit të Kosovës në Bienalen e Venedikut

03.02.2014

Ron Arad, një nga arkitektet më të njohur në botë, do të jetë Këshilltar Special i Pavijonit të Kosovës në Ekspozitën e Arkitekturës në Bienalen e Venedikut që do të mbahet këtë vit. Vendimin për emërimin e tij e ka marrë Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi.

Këshilltari special, në bazë të vendimit do të këshillojë në çdo fazë Kuratorin e Pavijonit.

Arad është një arkitekt britanik i lindur në Izrael. Zyra e tij e arkitekturës gjendet në Londër. Ai është vlerësuar si unik në punën e tij, e cila kryesisht është e bazuar në metale. Përpos arkitekturës Ron Arad është një nga figurat me eminente në fushën e dizajnit industrial

Ditë me parë Ministri Krasniqi ka marrë vendim edhe për emërimin e Bordit Këshillues dhe Komisionerit për Pavijonin e Kosovës në Bienalen e Venedikut.

Komisioner i Republikës së Kosovës për Ekspozitën e Arkitekturës në Bienalen e Venedikut 2014 caktohet Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Si trup këshillëdhënës emërohet Bordi Këshillues, me këtë përbërje:

- Ilir Gjinolli
- Ilir Murseli
- Gjejlane Hoxha
- Florina Jerliu
- Përparim Rama


Bordi Këshillues, sipas vendimit, do t’i propozojë Komisionerit 3 deri në 5 propozime për kurator potencial.

Komisioneri ndërkaq pas marrjes së propozimeve nga Bordi do ta emërojë Kuratorin.

Shpenzimet për realizimin e ekspozitës i merr përsipër Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, duke përfshirë edhe koordinimin e donacioneve të mundshme.

Kjo është hera e tretë që Kosova merr pjesë në Bienalen e Venedikut, dhe hera e dytë në Ekspozitën e Arkitekturës.

Prapa

KOSOVO IN UNESCO