Ndahen shpërblimet shtetërore për xhudistët Akil Gjakova dhe Distria Krasniqi

17.12.2013

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi ua ka ndarë sot edhe solemnisht shpërblimet shtetërore dy xhudistëve të rinj, Akil Gjakova e Distria Krasniqi për medaljet e fituara në kampionatet evropiane të xhudos. Shpërblimet jepen në bazë të Rregullores nr. 15/2013 për ndarjen e Shpërblimeve Shtetërore për sportistët që arrijnë rezultate kulmore në garat ndërkombëtare.

Xhudisti Akil Gjakova ka marrë shpërblimin me vlerë prej 5000 Euro, si fitues i Medaljes së Artë në Xhudo në kategorinë e Kadetëve (-66 kg) në Kampionatin Evropian të Kadetëve mbajtur më 21-23 qershor 2013 në Estoni.

Ndërsa, Distria Krasniqi, ka marrë 4000 Euro, për dy medaljet e bronzta që ka fituar në kampionatet evropiane mbajtur më 20-22 shtator 2013 në Sarajevë, përkatësisht 15-17 nëntor 2013 në Bullgari.
Bazuar në rregullore edhe trajneri i xhudistëve, Driton Kuka u shpërblye me 50 % të vlerës të secilit shpërblim të fituar nga sportisti. Në këtë rast Kuka është shpërblyer me 4500 euro.

Në ceremoninë e mbajtur në MKRS, Ministri Krasniqi tha se dhënia e këtyre shpërblimeve dëshmon edhe një herë për përkushtimin që po tregojnë të rinjtë tanë në shumë sporte, si dhe për përkujdesjen që shteti tashmë e jep për ta. Ai tha Kosova çdo vit e më shumë po krijon potencial të fortë në shumë sporte dhe konkurruese në nivel ndërkombëtar.

“Këto shpërblime dëshmojnë se Kosova po krijon një ekip të sportistëve për gara në nivel ndërkombëtar, duke vendosur standarde të larta në mbarë botën për punën dhe suksesin dhe po ashtu duke krijuar një ekip që do ta përfaqësojë Kosovën në lojërat e ardhshme olimpike”, tha ministri Krasniqi, duke shtuar se këto suksese janë rezultat i një pune të madhe të klubit Ippon, Federatës dhe gjithë komunitetit sportiv.

Nga ana tjetër, Gjakova dhe Krasniqi kanë falënderuar ministrin për mbështetjen që ua ka dhënë në vazhdimësi dhe për krijimin e legjislacionit që siguron mbështetje dhe shpërblime meritore. Ata thanë se kjo mbështetje është motiv shtesë për ta dhe sportistë të tjerë.

E trajneri i tyre, Driton Kuka tha se do të vazhdojnë të punojnë edhe më shumë për suksese edhe më të mëdha. Këtë vit ai e quajti si historik për sukseset e treguara në nivelin ndërkombëtar.

“Këto shpërblime, kjo përkujdesje që kemi pasur nga ekipi i tij dhe vet ministri vërtetë na e kanë kthyer dinjitetin tonë si trajnerë dhe si sportistë”, ka shtuar ai.
 

Prapa