Ridvan Dibra, fitues i Çmimit të parë në konkursin për dramën shqipe ‘Katarina Josipi’

09.11.2013

Ridvan Dibra me dramën ‘Lufta e Tretë Botërore’ ka fituar çmimin e parë në Konkursin për Dramë Origjinale Shqipe. Ndërkaq Mentor Haliti me dramën ‘Fabrika e kukullave’ është fitues i çmimit të dytë, kurse Naser Shatrolli me dramën ‘Kasetat’, fitues i çmimit të tretë.

Ceremonia e ndarjes së çmimeve u mbajt sot në Teatrin Kombëtar të Kosovës, organizuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Çmimet nga ky vit janë institucionalizuar me rregullore të veçantë nga ana e MKRS-së.Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi tha në ceremoni se këto çmime janë një nderim për figurën e aktores së madhe Katarina Josipi dhe po ashtu një vlerësim për punën e krijuesve të sotshëm në dramaturgji.

“Katarina Josipi nuk jetoi gjatë por veprimtaria e saj ishte një jetë e terë. Ajo luajti shume role dhe me të vërtetë jetoi në teatër. Katarina luajti me shumë aktorë tjerë e që bashkërisht e bënë atë kohë që jetuan epokë të artë të teatrit dhe artit në përgjithësi.

Puna e Katerinës dhe miqve të saj e bëri Kosovën një qendër të rëndësishme të artit në atë kohë dhe po ashtu puna e saj dhe shumë tjerëve shërbyen si frymëzim për gjenerata të shumta të artit në Kosovë”, tha Ministri Krasniqi. Ai shtoi se MKRS ka themeluar çmime në të gjitha fushat e artit për të nderuar dhe vlerësuar punën e artistëve.

Duke falënderuar jurinë për ndarjen e këtyre çmimeve, Ministri tha se ka qenë mjaftë inkurajuese fakti që ka pasur mbi 40 aplikime.
“S’ka dyshim se tri dramat e përzgjedhura janë një mishërim i një pasioni të madh për dramën”, tha ai.

Ridvan Dibra, fitues i çmimit të parë tha se Kosova e ka nderuar shumë krijimtarinë e tij. Themelimi i çmimeve, tha ai, është një respekt për artistin. Dibra shtoi se pret që drama, përveç nga kritika dhe artdashësit të mirëpritet edhe nga publiku.

Kryetari i jurisë, Ag Apolloni tha se veprat e përzgjedhura janë vepra mjaftë interesante dhe me vlera. Ai e ka quajtur si mjaftë domethënëse që këtë vit ka pasur mjaftë konkurrencë, që sipas tij dëshmon për punën dhe vullnetin e artistëve për të krijuar.

Çmimet për Dramën origjinale shqipe kanë edhe vlerë monetare. Çmimi i parë shpërblehet me 3600 euro, i dyti me 2400, ndërkaq me 1200 i treti.

Anëtarë të jurisë këtë vit kanë qenë Ag Apolloni, Burbuqe Berisha, Liri Cami, Emin Emini dhe Ismet Azemi.
 

Prapa