Ministri Krasniqi inauguroi pavijonin e Kosovës në Bienalen e Venedikut

27.08.2012

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, z.Memli Krasniqi ka hapur sot Pavijonin e Kosovës në Bienalen e Arkitekturës në Venedik. Republika e Kosovës për herë të parë po merr pjesë në këtë eveniment të rëndësishëm të fushës së arkitekturës, me projektin “Punuesi i filigranit”, të kuratorit Përparim Rama. Në ceremoninë e hapjes ka marrë pjesë edhe ambasadorja e Kosovës në Romë, znj.Bukurije Gjonbalaj, si dhe arkitektë të shumët dhe organizatorë të Bienales.

Ministri Krasniqi tha se pjesëmarrja në Bienale është një hap jashtëzakonisht i madh dhe paraqet një mundësi për të promovuar trashëgiminë dhe potencialin e Kosovës në arkitekturë.  “Është jashtëzakonisht e rëndësishme që Kosova më në fund po prezantohet në Bienalen e Arkitekturës të Venedikut i cili është evenimenti më i madh global i kësaj fushe. Më vjen mirë që puna e cila është bë nga komisioneri Bekim Ramku dhe kuratori Përparim Rama ka rezultuar shumë e suksesshme dhe mendoj që si pavijon do të jetë i veçantë krahasuar me shumë shtete tjera pjesëmarrëse që janë prezantuar shumë herë tjera në Venedik. Kosova si një vend i ri ka një histori të pasur dhe trashëgimi kulturore dhe çka është më me rëndësi, ka një potencial të madh që shpresoj do të kemi mundësinë ta promovojmë në botë duke përkrahur mendjet kreative”, tha ministri Krasniqi.

Arkitekti dhe njëherësh komisioneri i projektit Bekim Ramku falënderoi ministrin për nismën dhe mbështetjen që i ka dhënë projektit për pjesëmarrjen e Kosovës në Bienale. Ai vlerësoi lartë angazhimin e kuratorit Rama dhe gjithë ekipit tjetër që kanë punuar në përgatitjen e pavijonit.

Kurse arkitekti dhe kuratori i projektit Përparim Rama foli për konceptin e projektit. 

“Jam shumë krenar që jam kuratori i parë i pavilionit të Kosovës dhe mendoj që kemi pasur një grup të mrekullueshëm dhe kemi bërë një punë të mire të cilën po e prezantojmë sot këtu. Jemi munduar të tregojmë që arkitektura ka një impakt emocional te njerëzit dhe si arkitektë duhet të jemi të përgjegjshëm për këtë fakt. Ne po i ftojmë të gjithë vizitorët të votojnë dhe tregojnë emocionet e tyre në lidhje me ndërtesat dhe impaktin që ka arkitektura te ata”, tha Rama.

Ndërkaq Ambasadorja e Kosovës në Itali, Bukurie Gjonablaj  tha se kjo është një ditë shumë me rëndësi për Kosovën dhe se i vjen mirë që koncepti i këtij pavilioni po i tërheq vëmendjen vizitorëve.

Punuesi i filigranit, fton të gjithë vizitorët të filtrojnë imazhet nga arkitektura e Kosovës në gjashtë emocione: lumturi, trishtim, ngazëllim, liri, zemërim dhe ngulfatje.

Bienalja e Venedikut këtë vit shënon edicionin e tij të 13-të dhe do të jetë e hapur për publik deri në datën 25 nëntor. Bienalja e Venecias do të jetë e hapur deri më 25 Nëntor dhe aty do të prezantojnë rreth 60 shtete.

Prapa