Kosova e gatshme për prezantim në Bienalen e arkitekturës në Venedik

15.08.2012

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi ka përgëzuar për punën që kanë bërë, kuratorin, komisionierin, bordin dhe gjithë ekipin e angazhuar për të përfaqësuar Republikën e Kosovës në Bienalen e Venedikut, ekspozitën më të madhe në botë të Arkitekturës, e cila fillon nga 29 Gusht dhe mbaron më 25 Nëntor.

Me një iniciativë të MKRS-së Kosova ka arritur  që të jetë për herë të parë në Bienalen e Venedikut.

Komisioneri, Bekim Ramku dhe Kuratori i ekspozitës, arkitekti
Përparim Rama kanë thënë se tashmë kanë bërë gjitha përgatitjet. Kosova si temë prezantimi ka “Punuesi i filigranit”.

Ministri Krasniqi do të jetë prezent në Venedik më 27 Gusht kur do ta bwjw  hapjen e Pavijonit të Kosovës në Bienale. Pjesëmarrja e Kosovës në këtë ngjarje të madhe botërore për të  shënon edhe një hap shumë të rëndësishëm në prezantimin e shtetit të Kosovës, dhe mbi të gjitha të potencialit kulturor para vendeve nga e mbarë bota.

“Është vërtetë një e arritur e jona dhe ndjehem i nderuar që si ministër më është dhënë rasti që të kontribuoj në këtë proces. MKRS ka dhënë gjithë mbështetjen e nevojshme për këtë prezantim dhe unë dua të përgëzoj komisionerin, kuratorin, bordin dhe gjithë ekipin tjetër për punën që kanë bërë, si dhe t’ju uroj një prezantim sa më të suksesshëm.

Ky prezantim do t’i hapë edhe më shumë rrugë Kosovës për promovim edhe në të tjera ngjarje të mëdha botërore të arkitekturës dhe të artit në përgjithësi. Këtë vit Kosova ka shënuar një progres të lartë duke qenë pjesë e Festivalit të Filmit në Berlinale me paviojonin e vet, në të njëjtën mënyrë është prezantuar edhe në Festivalin e Filmit në Cannes, ka pasur mbrëmjen e vet të muzikës rock në Montreux Jazz Festival dhe tash në Bienale. Me një përkushtim të lartë ne do të vazhdojmë të promovojmë edhe më shumë kulturën tonë, e që kjo të sjellë rezultatet e veta në lidhjen e bashkëpunimit me institucionet më të rëndësishme ndërkombëtare në botë”, ka thënë ministri Krasniqi.

Komisioneri Bekim Ramku ka thënë se si një përfaqësim për herë të parë, është e rëndësishme që arkitektura e Kosovës  të përfaqësohet ashtu siç është me urbanizmin e vet nëpër shekuj. Ramku ka shprehur një falënderim për gjithë ekipin që ka punuar në ndërtimin  e paviojnit, e në veçanti për ministrin Krasniqi për angazhime e treguar që Kosova të jetë në këtë ngjarje të madhe.

Nga ana e tij, kuratori Përparim Rama duke thënë se Kosova do të ketë një prezantim të mirë. “Punuesi i filigranit tregon kulturën dhe imazhin kosovar me anë të filigranit, si një nga mënyrat më tradicionale të të bërit stoli duke i mbijetuar kohërave dhe regjimeve kosovare. Gërshetimi i metalit ka domethënie multidimensionale, ashtu siç njerëzit gërshetohen mes ngjashmërive dhe diferencave midis tyre. Ky gërshetim tregon se njerëzit janë krijuesit e fatit të tyre, dhe kemi zgjedhur pikërisht filigranin si elementin kryesor të përfaqësimit tonë në këtë bienale”, ka thënë ai, teksa ka ftuar arkitektët e Kosovës që të jenë pjesë e gjithë këtij projektit.

Për Paviljonin, Rama synon të krijojë ngjarjen interaktive, duke përdorur teknologji të bazuara në ueb-shërbime dhe rrjetet sociale nëpërmjet emailit, si dhe rrjetet sikur Tëitter dhe Facebook, ku pjesëmarrësit, si edhe kushdo tjetër me qasje në internet, do të ketë mundësi të marrë pjesë duke përzgjedhur pamjet arkitekturale dhe peizazhe urbane nga vendi dhe duke i lidhur ato direkt me një emocion: gëzim, pikëllim,ngazëllim, ngulfatje, liri, apo hidhërim. Kështu ai ka ftuar arkitektet kosovarë që ta vizitojnë faqen e mëposhtme dhe të lidhni pamjet e peizazhit arkitektural dhe ati urban me gjashtë emocionet e përmendura më lart. http://www.kosovoinvenice.org/votes/

Prapa