Ministri Krasniqi dhe Zëvendëskryeministri Bozdag përuruan Tyrben e Bajraktarëve
10.08.2012
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, z. Memli Krasniqi bashkë me Zëvendëskryeministrin e Turqisë, z.Bekir Bozdag kanë përuruar sot në fshatin Mazgit të komunës së Obiliqit, Tyrben e Bajraktarëve (Tyrbja e Gazi Mestanit) e restauruar nga Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim.
Ministri Krasniqi tha në fjalën tij se tyrbja është një pjesë e rëndësishme e trashëgimisë kulturore të Kosovës, e po ashtu është edhe një vlerë globale pasi paraqet një të kaluar të njerëzimit.
Ministri shtoi se Kosova ka një trashëgimi që shquhet për nga diversiteti. Ai tha se në vitet e fundit në fushën e trashëgimisë ka pasur mjaftë zhvillime pozitive, si në kuadrin e restaurimeve, gërmimeve dhe angazhimeve tjera. Ministri deklaroi se MKRS në obligimet e saj ka pasur mbështetës të shumtë dhe me këtë rast shprehu falënderim për Agjencinë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim që ka dhënë dhe po jep një kontribut të çmuar në fushën e trashëgimisë por edhe në segmente tjera të jetës.
Trashëgimia është një aspekt i rëndësishëm i turizmit dhe ne bashkë me partnerët tanë po punojmë që sa më shumë ta promovojnë thesarin tonë kulturorë, për ta bërë Kosovën një adresë të rëndësishme të turistëve nga e mbarë bota, tha ministri, duke shprehur edhe një herë gatishmërinë që të thellojë bashkëpunimin me TIKA-n dhe partnerët tjerë vendorë e ndërkombëtarë në Kosovë, me qëllim që të ketë arritura sa më pozitive dhe menaxhim të mirë të fushës së trashëgimisë.
Nga ana e tij, Zëvendëskryeministri turk, z.Bekir Bozdag tha se tyrbja vërtetë paraqet një të kaluar të njerëzit dhe përveç që është një trashëgimi e Kosovës, ajo është edhe një vlerë e Ballkanit dhe vende më gjerë.
Bozdag foli për rëndësinë që trashëgimia të promovohet sa më shumë tek gjeneratat e reja dhe që të shfrytëzohet si një potencial i mirë për turizëm. Ai edhe një herë shprehi gatishmërinë e qeverisë turke që të vazhdojë të ndihmojë Kosovën, si në aspektin politikë, ekonomik dhe atë kulturor.
Gjatë ditës, ministri Krasniqi dhe zëvendëskryeministri Bozdag kanë marrë pjesë në prezantimin e projekteve të radhës së TIKA-s në Kosovë, në fushën e trashëgimisë që përfshin restaurimin e oborrit të Xhamisë së Madhe, Prishtinë, Oborrin e Xhamisë së Sinan Pashës në Prizren, Restaurimin e Xhamisë se Jashar Pashës, Prishtinë, Restaurimin e Hamamit te Vushtrrisë (Gazi Ali Beu), si dhe Restaurimin e Xhamisë se Janjeves, (Murat Beu).




+.jpg)







