Majlinda dha emocion të paharruar në Londër e në Rio do të jetë prijësja e ekipit olimpik të Kosovës

02.08.2012

Me paraqitjen saj në Lojërat Olimpike “Londra 2012”, Majlinda Kelmendi i ka dhuruar gjithë popullit një emocion që nuk i ka përjetuar kurrë mё parë në një garë të tillë dhe ajo padyshim që është krenaria jonë, emblemë e sportit të Kosovës dhe besoj se do të jetë prijësja e ekipit olimpik të Republikës së Kosovës në Lojërat Olimpike “Rio 2016”. Kështu tha sot ndër të tjera, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit në konferencën për shtyp të mbajtur në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, “Adem Jashari”, bashkë me xhudisten Kelmendi, trajnerin e saj Driton Kuka, dhe kryetarin e Federatës së Xhudos së Kosovës, Agron Kuka, të cilët u kthyen sot nga Londra. Ashtu edhe siç e kishte përcjell, ministri Krasniqi ka pritur Majlindën dhe ekipin e saj në ANP “Adem Jashari”.

Ministri shtoi më tutje se, vetё pjesëmarrja e Majlindës në Olimpiadë, një e arritur me mund dhe pikë dhe jo si e ftuar, është një sukses i jashtëzakonshëm për të dhe sportin në Kosovë. Ai tha se me këtë rast është dëshmuar edhe përkushtimi i lartë i të gjitha institucioneve të Kosovës, për të përkrahur Majlindën dhe sportin në përgjithësi. “Ajo na ka ofruar një përformancë, emocione që nuk i kemi përjetuar kurrë mё parë dhe padyshim se ajo ka qenë dhe është krenaria e sportit të Kosovës dhe një frymëzim i gjallë për mijëra sportistë të Kosovës, e që padyshim suksesi i saj do t’i frymëzojë në vazhdimësi dhe do të ndikojë edhe më shumë që ata të realizojnë ëndrrat e tyre”, tha ministri.

Ai ka përgëzuar trajnerin Kuka dhe drejtuesit e Federatës për punën e palodhshme që kanë bërë deri tash, duke iu premtuar atyre se mbështetja institucionale do të rritet. Ministri shprehu falënderim edhe për Komitetin Olimpik të Kosovës, Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Shqipërisë, Komitetin Olimpik Shqiptar për ndihmën dhe bashkëpunimin e ofruar.

Në fjalën e tij, ministri po ashtu shtoi se Kosova do të ketë si prijëse të ekipit të vet në “Rio 2016”, dhe bashkë me të do të jenë edhe shumë sportistë tjerë të rijnë, në xhudo, boks, mundje dhe sporte të tjera, e që do të bëjnë krenarë gjithë Kosovën. Storia e Majlindës, tha ministri Krasniqi, ka qenë lobimi i pazëvendësueshëm për thyerjen e izolimit të padrejtë ndaj Kosovës në sport. “E kam thënë se storia më e mirë, tregimi më i vërtetë për sportin e Kosovës, është mishëruar përmes Majlinda Kelmendit, ka qenë emblema e sportit, e betejës sonë për ndërkombëtarizim. Vetëm në ditët e fundit, prapë mediet më të rëndësishme botërore, BBC, The Guardian, AlJazeera, e shumë media tё tjera, kanë vazhduar të trajtojnë çështjen e izolimit të sportistëve kosovarë”, ka thënë ministri.

Ai shtoi se meqë tashmë është plotësuar kriteri teknik për aplikimin e Komitetit Olimpik të Kosovës për anëtarësim në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar, do të ecët me hapa të sigurt për të qenë të bindur se vërtet përgjigja do të jetë pozitive. “Në momentin që Kosova do të ketë njohjen e 100-të si shtet, ne do të aplikojmë për anëtarësim në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar. Unë jam i bindur se ky numër do të rritet në muajt e ardhshëm dhe besoj fuqishëm se do të jemi të përgatitur që të marrin një përgjigje të merituar, një përgjigje pozitive”.

Nga ana e saj, xhudistja Majlinda Kelmendi shprehu falënderimin për të gjithë njerëzit, krerët e shtetit të Kosovës, presidenten, kryeministrin dhe ministrin Krasniqi, që i kanë qëndruar pranë. Ajo tha se rezultati në Londër nuk ishte ajo që ka pritur dhe se nga dëshira e madhe për të fituar medalje, ka bërë gabime që i kanë kushtuar me humbje. “E di që rezultati nuk ka qenë ajo çka ne kemi pritur. Ndoshta thjesht s’ka qenë ditë me fat. Nuk ka ndodhur asnjëherë të humbin nga një garuese në nivel shumë më të ulët se sa i joni. Ndoshta ka qenë ditë pa fat, ndoshta ka qenë koncentrimi jo i mjaftueshëm, ose vetё prezenca në Lojërat Olimpike, sepse është ngarkesë psikike”, ka thënë ajo, teksa ka premtuar se në garat e ardhshme evropiane dhe botërore do të punojë shumë, duke mësuar nga përvoja në Londër dhe duke synuar që të jetë vërtet e përgatitur për lojërat e ardhshme, “Rio 2016”. “Fatkeqësisht ndodhi  në Lojërat Olimpike, por do të jetë një eksperiencë.

Ky është një sport dhe gjithçka mund të ndodh. Ka gara tjera dhe
unë besoj se nuk do të ketë gabime të tilla”.

Edhe trajneri i saj, Driton Kuka, u shpreh se për të ka qenë një befasi rezultati, dhe se kjo ka ndodhur për shkak të gabimeve dhe dëshirës së madhe për fitore.

Ai u shpreh se Majlinda i ka dhënë një sukses të jashtëzakonshëm Kosovës, duke siguruar normën olimpike dhe duke marrë pjesë në Lojërat Olimpike. Kuka shtoi se ai tashmё do të fillojë të punojë me Majlindën dhe xhudistë tё tjerë që të përgatisë vërtet një ekip të fortë për “Rio 2016”. Trajneri Kuka ka shprehur falënderim për ministrin që iu ka qëndruar pranë në çdo hap, në dy vitet e fundit. “Majlinda pësoi nga një gabim. Ne e kemi arritur kualifikimin dhe qëllimi i dytë ka qenë që Majlinda të debutojё me fitore. Kjo duhet të vlerësohet se është shënuar fitorja e parë për Kosovën dhe qëllimin për medalje ne besoj se do ta arrijmë në Rio.

Unë besoj se do të kemi përkrahje sepse me të vërtetë kemi pasur përkrahje këto dy vite dhe, Majlinda Kelmendi ka qenë emblemë e Kosovës dhe kjo ka dëshmuar se është ambasadorja më e mirë e Kosovës. Dua të besoj se edhe ministri Krasniqi do të mbetet këtu në sport, dhe e kam lutur që vërtet të qëndrojë sepse i ka dhënë një shtytje të madhe gjithë angazhimit tonë dhe sportit”, ka thënë ai. Nga ana tjetër, kreu i Federatës së Xhudos së Kosovës, Agron Kuka, tha se ka besim se përkushtimi dhe angazhimi i të gjithëve për sportin do të shtohet, në mënyrë që të ketë gjithnjë e më shumë sportistë që paraqesin imazhin e vërtetë të Kosovës në botë.

Prapa