Presidentja Jahjaga, Kryeministri Thaçi dhe Ministri Krasniqi përcjellin nga afër paraqitjen e Majlinda Kelmendit në Olimpiadë

27.07.2012

Xhudistja nga Kosova, Majlinda Kelmendi, që merr pjesë në Lojërat Olimpike “Londra 2012” në kuadër të ekipit olimpik të Shqipërisë, të dielën nuk do të jetë vetëm. Presidentja e Republikës së Kosovës, znj. Atifete Jahjaga, Kryeministri i Republikës së Kosovës, z.Hashim Thaçi dhe Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, z.Memli Krasniqi do të jenë të dielën në Excel Arena në Londër për të parë nga afër përballjet e xhudistes nga Peja. Në raundin e parë Majlinda do të takohet me Sundberg Jaana nga Finlanda.

Ndërkohë sot në Londër, Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, z.Memli Krasniqi ka takuar ekipin olimpik të Shqipërisë, në një pritje të organizuar nga Ambasada e Republikës së Shqipërisë dhe Ambasada e Republikës së Kosovës, në selinë e Ambasadës së Shqipërisë në Londër. Në takim e pranishme ishte edhe Presidentja e Republikës së Kosovës, znj.Atifete Jahjaga, Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, z.Sali Berisha, Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve i Shqipërisë, z.Aldo Bumçi, ambasadori britanik në Kosovë, Ian Cliff, ambasadori i Republikës së Kosovës në Britani të Madhe, z.Muhamet Hamiti, i ngarkuari me punë në Ambasadën e Shqipërisë në Londër, z.Mal Berisha e zyrtarë të tjerë. Ministri Krasniqi ua ka uruar suksese të gjithë pjesëtarëve të ekipit olimpik të Shqipërisë, në veçanti Majlinda Kelmendit, duke rikonfirmuar edhe një herë mbështetjen e plotë për të nga institucionet shtetërore të Kosovës.

Ndërkaq Presidentja Jahjaga, duke i dëshiruar suksese pjesëmarrësve në Olimpiadë, tha se ne të gjithë ndihemi krenarë me sportistët tanë të dalluar, me dëshirën dhe përkushtimin e tyre për të arritur rezultate sa më të mira në garat në kuadër të Lojërave Olimpike Verore të Londrës.
 

Prapa