Ndryshimet në Ligjin për Trashëgimi mundësojnë menaxhim shumë mё efikas të gjithë trashëgimisë
20.07.2012
Më ndryshimet që janë bërë në Ligjin për Trashëgimi pritet të ketë një rregullativë më të qartë dhe të tillë që mundëson zhvillime pozitive në fushën e trashëgimisë kulturore. Kështu tha sot ndër të tjera Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, z.Memli Krasniqi, në dëgjimin publik të organizuar nga MKRS për Projektligjin për Trashëgimi Kulturore, e ku kanë marrë pjesë përfaqësues të institucioneve të trashëgimisë kulturore, arkeologë, arkitektë, përfaqësues të organizatave joqeveritare dhe përfaqësues të mekanizmave ndërkombëtarë. Ai tha se ky është vetëm një draft dhe ka mirëpritur rekomandimet që janë dhënë nga pjesëmarrësit në këtë dëgjim publik. Sipas ministrit Krasniqi, ky draft ofron një përgjigje dhe zgjidhje me të qartë për mënyrën dhe strukturën menaxhuese për trashëgiminë kulturore dhe për më tepër krijon mekanizma të rinj, që deri tash kanë munguar në Kosovë dhe që janë edhe kërkesë e standardëve evropiane.
Në këtë ligj është paraparë themelimi i Inspektoratit të Trashëgimisë Kulturore, që do të jetë një organ mbikëqyrës për të gjitha ato punë që do të bëhen në restaurime, konservime dhe gërmime arkeologjike. Roli dhe përgjegjësia e këtij mekanizmi është e përcaktuar qartë dhe mundëson një punë efikase.
Inspektorati do të mundësojë një ecuri të mirë të punëve dhe do të eliminojë ato paqartësitë dhe dyshimet për manipulime apo punë joprofesionale që kanë ndodhur në të kaluarën, ka thënë ministri Krasniqi, teksa ka përmendur se duke parë që Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore, që më ligjin aktual në fuqi është formuar nga Kuvendi dhe që tash e disa vjet është jofunksional me ndryshmet e bëra, është dhënë një nga propozimet që Këshilli të jetë i emëruar nga Qeveria dhe raportet e veta do tia përcjellë Qeverisë, në mënyrë që të mundësohet një funksionim i plotë i këtij institucioni. Po ashtu edhe çështja e shpronësimit, si një segment mjaft i rëndësishëm është sqaruar si duhet dhe është në përputhje të plotë me ligjet tjera në fuqi të Republikës së Kosovës, ka thënë ministri. Ministri theksoi se është e kuptueshme që ndoshta ka mangësi edhe në ndryshimet që janë bërë dhe për këtë ka ftuar pjesëmarrësit që të japin rekomandime, të cilat më pas do të mund të inkorporohen në draftin që do të dërgohet për miratim në Qeveri dhe më pas në Kuvend.
Ai shtoi se është evidente që një bazë e mirë ligjore lehtëson shumë punën e të gjithë institucioneve përgjegjëse për të ruajtur dhe promovuar trashëgiminë, por ka shtuar se gjithsesi, nga vetё këto institucione dhe shoqëria në përgjithësi kërkohet një përgjegjësi dhe angazhim më i lartë që ligji të zbatohet. Ministri shtoi se në të ardhmen do të nxjerrën edhe akte nënligjore që do të plotësojnë dhe konkretizojnë edhe më shumë rregullimin e kësaj fushe.
Nga ana tjetër, pjesëmarrësit kanë shprehur një përkrahje për iniciativën që ligji të ndryshohet, pasi ka theksuar mungesën e moszbatimit dhe paqartësive që ka ligji aktual. Ata rekomanduan që në këtë draft të ketë një saktësim edhe më të madh të institucioneve përgjegjëse për të menaxhuar me trashëgiminë, një koordinim me të madh si dhe qartësim të terminologjisë, në mënyrë që në të ardhmen të mos ketë paqartësi, që në të kaluarën janë paraqitur, për shkak të terminologjisë jo të saktë.
Ministri ka falënderuar gjithë ata që kanë kontribuar deri më tash në hartimin e këtij drafti si dhe ka kërkuar nga të gjithë ekspertët dhe përfaqësuesit e institucioneve, që të përcjellin rekomandimet edhe në ditët në vazhdim në mënyrë që draft-ligji vërtet të jetë sa më i kompletuar.











_505.jpg)
_505.jpg)

