Ministri Krasniqi priti në një takim ambasadorin e Çekisë në Prishtinë, Jiri Dolezel
12.07.2012
Bashkëpunimi midis dy vendeve në fushën e kulturës, por edhe në segmente të tjera ka qenë temë diskutimi në takimin mes Ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, z.Memli Krasniqi me ambasadorin e Republikës së Çekisë në Prishtinë, z.Jiri Dolezel. Me theks të veçantë është biseduar për projektin e përbashkët të Ambasadës ceke, MKRS-së dhe Komisionit Evropian, European Summer Music Academy që ka filluar të mbahet në Prishtinë nga 11 Korriku dhe do të zgjasë deri me 20 Korrik. Kjo ngjarje ka mbledhur në Prishtinë studentë nga e gjithë Kosovës, Shqipëria dhe Maqedonia, të fushës së muzikës klasike, e të cilët do të jenë pjesë e ligjëratave dhe trajnimeve nga profesorë të shquar nga Evropa dhe Kosova. Përveç kësaj do të ketë edhe disa koncerte të ndryshme, e me i veçanti do të jetë ai që do të mbahet me 17 Korrik në Sallën e Kuqe në Prishtinë. Ministri Krasniqi e vlerësoi si shumë të rëndësishme këtë projekt të përbashkët, duke vlerësuar se kjo ndihmon që studentët të marrin përvojat më të mira nga profesorët e shquar evropianë të fushës së muzikës, e po ashtu do të kenë rastin që të dëshmojnë talentin e tyre para publikut. Ai tha se Republika e Kosovës dhe ajo e Çekisë kanë një bashkëpunim shumë të mirë ndërshtetërorë dhe shfaqi gatishmërinë e tij që të ketë një thellim të raporteve mes dy vendeve në fushën e kulturës. Është një iniciativë shumë e mirë që unë besoj do të vazhdojë edhe në vitet e ardhshme, tha ministri Krasniqi.
Nga ana tjetër, ambasadori Dolezel falënderoi ministrin Krasniqi për mbështetjen që i ka dhënë European Summer Music Academy por edhe për gatishmërinë për të thelluar bashkëpunimin, dhe për të zgjeruar gamën e aktiviteteve të përbashkëta. Ambasadori cek tha se shteti i tij do të ndihmojë Kosovën në zhvillimin e kulturës dhe edukimin dhe promovimin e artistëve të rinj.










_505.jpg)
_505.jpg)


