Ministri Krasniqi priti në një takim basketbollistin kosovar Dardan Berisha

10.07.2012

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, z. Memli Krasniqi ka pritur sot në një takim basketbollistin kosovar që luan në Poloni, Dardani Berisha.

Në këtë takim i pranishëm ishte edhe kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës, z.Fatmir Gashi. Basketbollisti nga Peja ka shkëlqyer vitin e kaluar në Kampionatin Evropian të basketbollit, duke shënuar pikë vendimtare për Poloninë në fitore që kjo kombëtare kishte shënuar.

Dardan Berisha karrierën e ka nisur në Pejë dhe më pas e ka vazhduar në Kroaci, Spanjë dhe më pastaj në Poloni.

Ministri Krasniqi e vlerësoi lartë suksesin që ka arritur Berisha dhe tha se ky nuk përben vetëm një sukses të tij personal, por edhe të gjithë basketbollistëve tjerë kosovarë. “Vërtetë ne jemi ndjerë shumë krenarë me ty, në paraqitjet e tua shumë të mira në Kampionatin Evropian dhe ju jeni imazhi i vërtetë i Kosovës që keni ndryshuar tek shumëkush perceptimin për Kosovën”, tha ministri Krasniqi. Ai shtoi se Dardani është një nga gjeneratat e reja shembull të Kosovës, dhe mbi të gjitha një shpresë e madhe për të ardhmen e basketbollit në vend. “Me Dardanin ne kemi dëshmuar se kemi talentë të shumtë, dhe atë në të gjitha sportet”, tha ministri.

Ai gjatë takimit e ka njoftuar basketbollistin Berisha edhe me punën që po bëhet në përgjithësi për zhvillim të sportit në Kosovë, dhe theksoi se ka shumë ndryshime pozitive dhe se presin që edhe basketbolli një ditë të thyejë izolimin e basketbollistët tanë të dëshmohen edhe në arenën ndërkombëtare.

Nga ana e tij, basketbollisti Berisha falënderoi ministrin Krasniqi dhe e njoftoi atë me planet e tij për të zhvilluar edhe më shumë karrierën. Ai shprehi vullnetin dhe gatishmërinë e lartë që në një të ardhme të afërt të jetë pjesë e reprezentacionit të Kosovës në basketboll. Berisha shfaqi shpresën se shumë shpejtë edhe basketbolli i Kosovës do të njihet ndërkombëtarisht. 

Prapa