Ministri Krasniqi vizitoi Institutin Qendror të Romës për Restaurime dhe Konservim

28.06.2012

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, z.Memli Krasniqi ka vizituar sot Institutin Qendror të Romës për Restaurime dhe Konservim, ku është takuar me z.Alesandro Bianchi dhe Carlo Cacace, dy prej ekspertëve kryesor të këtij instituti. MKRS-ja dhe institucionet vartëse për trashëgiminë kulturore në Kosovë kanë një bashkëpunim të thellë me këtë institut. Ministri Krasniqi ka parë nga afër punën që bëhet në këtë institut me saktë në laboratorët e tij.

Ministri Krasniqi ka falënderuar z.Bianchi për bashkëpunimin dhe ndihmën që ai personalisht dhe Instituti Qendror i Romës i kanë dhënë Kosovës, në funksion të mbrojtjes dhe promovimit të trashëgimisë. Ai ka njoftuar z.Bianchi me angazhimet e MKRS-së në fushën e trashëgimisë. Ministri tha se trashëgimia është një prioritet për këtë mandat, dhe se deri më tani ka pasur progres të konsiderueshëm. Ai shtoi se tani është duke u punuar në plotësimin e Ligjit për Trashëgimi në mënyrë që ai të bëhet më funksional dhe të ketë kompetenca të qarta për secilin institucion. Ministri tha se tashmë Instituti për Mbrojtje të Monumenteve dhe Instituti Arkeologjik i Kosovës kanë një rol më të rëndësishëm, në restaurim dhe gërmime. Ne gjithsesi kemi nevojë për më shumë ekspertizë dhe më shumë përgjegjësi nga secili në mënyrë që punët të shkojnë si duhet, tha ministri Krasniqi. Në këtë rrafsh ai kërkoi nga Instituti Qendror i Romës për Konservim dhe Restaurim që të vazhdojë të shtojë angazhimet profesionale në Kosovë.

Nga ana e tij, eksperti Bianchi vlerësoi se në Kosovë është shënuar progres dhe bëhet një punë e mirë rreth trashëgimisë. Ai tha se mbesin sfida por premtoi se institucioni, pjesë e të cilit është edhe ai, do të jetë në vazhdimësi i gatshëm të japë ndihmën e vet. Z.Bianchi vlerësoi të nevojshëm ndryshimin e ligjit dhe qartësimin e kompetencave për secilin institucion që merret me trashëgimi kulturore në Kosovë.
 

Prapa