Rexho Mulliqit iu nda post-mortem Çmimi Kombëtar për Vepër Jetësore për muzike, “Niketë Dardani”

24.06.2012

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, z.Memli Krasniqi ka ndarë sot Çmimin Kombëtar për Vepër Jetësore  për muzikë “Niketë Dardani”, të cilin ditë më parë juria profesionale post-mortem ia ka ndarë kompozitorit Rexho Mulliqi.

Ministri Krasniqi çmimin, të shoqëruar nga një plaket, ia ka dorëzuar zonjës Jana Mulliqi, bashkëshortja e djalit të kompozitorit Rexho Mulliqi. Ajo tha se ndjehet e nderuar që në emër të familjes merr këtë çmim. Në vlerësimin e vet, juria, në përbërje nga kompozitori dhe pianisti, Prof. dr. Valton Beqiri, Baki Jashari, kompozitor dhe dirigjent dhe Sami Piraj, muzicient, thekson se Rexho Mulliqi është një prej kompozitorëve të parë dhe më të spikatur të Kosovës.

Ceremonia e ndarjes së çmimeve vjetore për muzikë u organizua në sallën e kuqe të Pallatit të Rinisë në Prishtinë, në kuadër të koncertit të radhës së Filarmonisë së Kosovës.

Kompozitorit Rafet Rudi i është ndarë çmimi për veprën më të mirë në kategorinë e veprave korale, për veprën “Fantasia Concertante”. Çmimi për kategorinë e veprave kamertale i është ndarë kompozitores Dafina Zeqiri për veprën “Përreth”. Çmimi në kategorinë e veprave simfonike - koncertale është ndarë në dysh për dy kompozitorë, kompozitorin Drinor Zymberi, për veprën “Koncert për orkestër”, si dhe Kreshnik Aliçkajn për veprën “Simfonia nr. 2”.

Prapa