Ministri Krasniqi përuroi Palestrën e Sportit në Malishevë, një nga më modernet në Kosovë
14.06.2012
Malisheva tashmë ka një prej palestrave sportive nga më modernet në vend dhe atë në saje të një investimi të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Në vigjilje të Ditës së Çlirimit të kësaj komune, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, z. Memli Krasniqi, bashkë me kryetarin e Komunës së Malishevës, z. Isni Kilaj, kanë përuruar Palestrën e Sportit, për të cilën janë dhënë rreth dy milionë e dyqind mijë euro. Në këtë ngjarje kanë marrë pjesë sportistë dhe shumë qytetarë të komunës së Malishevës.
Ministri Krasniqi tha se tashmë kjo palestër do të jetë një institucion në vete, pasi nga aty Malisheva do të nxjerrë talente që do ta përfaqësojnë Kosovën në të ardhmen në garat ndërkombëtare. Ju i keni dhënë shumë Kosovës në rrugën drejt lirisë dhe shtet-ndërtimit, andaj dhe meritoni një vëmendje të veçantë nga institucionet shtetërore dhe shoqëria në përgjithësi. Ta gëzoni këtë palestër dhe ju inkurajoj që të punoni shumë në organizim të garave dhe klubeve të ndryshme sportive, duke besuar gjithmonë në mbështetjen e institucioneve shtetërore. Ska dyshim se me një punë dhe vullnet të madh, ekipet sportive nga Malisheva do të jenë konkurrentë të denjë jo vetëm në gara në nivel të Kosovës por edhe të rajonit dhe më gjerë, tha me këtë rast ministri Krasniqi. Ai tha se ky nuk është i vetmi investim që MKRS ka bërë dhe do të bëjë në këtë komunë. Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit do të jetë gjithnjë në përkrahje të projekteve dhe kërkesave tuaja dhe padyshim se takimi i ynë sot nuk do të jetë i fundit, pasi në Malishevë do të realizojmë edhe shumë projekte të tjera si në sport, kulturë dhe fusha tjera, ka thënë ministri.
Nga ana e tij, kryetari i Malishevës, z. Isni Kilaj, ka falënderuar ministrin Krasniqi për mbështetjen që i ka dhënë, duke vlerësuar se me investimet që ka bërë Qeveria e Kosovës tash e disa vjet Malisheva ka ndryshuar shumë. Për Malishevën do të ketë edhe shumë projekte të tjera si në sport, me ndërtim të fushave, poligoneve, në kulturë, trashëgimi, por edhe investime të tjera për të bërë një jetë edhe më të mirë në komunën tonë, ka thënë ai.






+.jpg)





