Nga viti i ardhshëm Universiteti i Prizrenit me Program Master për Trashëgimi Kulturore dhe Menaxhim të Turizmit Kulturor

13.06.2012

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, z. Memli Krasniqi, ka pritur sot në një takim Rektorin e Universitetit të Prizrenit, z. Mazllum Baraliun, dhe profesoreshën nga Italia, për studime klasike, znj. Sara Santoro, e cila është edhe bartëse e grantit të Programit Tempus IV, që parasheh hapjen e një Programi Master dyvjeçar për Trashëgimi Kulturore dhe Menaxhim të Turizmit në Universitetin e Prizrenit. Ka qenë pikërisht kjo temë kryesore e diskutimit, për të cilën ministri Krasniqi ka shprehur mbështetje të plotë dhe e ka vlerësuar si të domosdoshme hapjen e këtij programi, që mendohet të fillojë nga viti i ardhshëm. Ministri Krasniqi tha se MKRS do të jetë e gatshme që të vejë në dispozicion gjithë ekspertizën që posedon në kuadër të institucioneve të veta që merren me trashëgimi kulturore, si dhe të ofrojë mbështetje edhe në fusha tjera që janë përgjegjësi e MKRS-së. Ai tha se ndërlidhja e fushës së trashëgimisë kulturore me zhvillimin ekonomik të një vendi është një element thelbësor, dhe të cilin MKRS e ka në vizion të saj. Një program i tillë, tha ministri Krasniqi, do të ndikojë në ngritjen e kapaciteteve dhe zhvillimin profesional të kuadrove në fushën e trashëgimisë dhe turizmit.

Një element me rëndësi që përmendi ministri Krasniqi ishte edhe inkuadrimi i ekspertëve ndërkombëtarë në kuadër të mësimdhënies dhe punës praktike. Ai tha se me këtë Kosova dëshiron që vërtet të marrë përvojat më të mira në menaxhimin e trashëgimisë dhe turizmit.

Nga ana tjetër, profesoresha Santoro vlerësoi lart bashkëpunimin që ka ofruar MKRS. Ajo tha se Kosova ka një trashëgimi shumë të pasur dhe turizmi kulturor do të ishte shumë i dobishëm për zhvillimin ekonomik. Santoro pohoi se në program pritet të përfshihen edhe ekspertë ndërkombëtarë.

Ndërkaq rektori i UPZ-së, z. Mazllum Baraliu, tha se për programin kanë marrë vlerësime shumë të larta nga ekspertë ndërkombëtarë të fushës së arsimit universitar dhe ekspertë të trashëgimisë dhe turizmit. Ai tha se nga MASHT- i kanë marrë përkrahje të madhe dhe falënderoi ministrin Krasniqi për bashkëpunimin e lartë të treguar. 

Prapa